Matthias Zollner trajner i Prishtinës, vjen dhe amerikani Anderson
Matthias Zollner është zyrtarisht kryetrajner i skuadrës nga kryeqyteti, KB Prishtina, për edicionin e ri 2018/19.
Klubi kryeqytetas ka angazhuar një trajner të ri në moshë, por me shumë përvojë e madje shumë i suksesshëm. Gjermani 37-vjeçar më herët ka drejtuar ekipin e vendlindjes së tij, TSV Dachau për pesë vite, ku pastaj u zgjodh në krye të ekipit të famshëm gjerman, Munich Basket.
Pas sukseseve te skuadra bavareze Zollner emërohet ndihmës trajner i Gjermanisë. Përvoja që morri në kombëtaren gjermane u vë në pah me skuadrën austriake, UBC Güssing Knights.
Në këtë edicion ai shkroi historinë në basketbollin austriak duke u kualifikuar në TOP 16 të Eurochallenge. Së fundmi Matthias Zollner ishte trajner i Kombëtares së Austrisë në kualifikimet për Kampionatin Botëror.
Por Prishtina nuk është ndalur vetëm me emërimin e trajnerit gjerman, pasi ka nënshkruar edhe me organizatorin amerikan Kyan Anderson. ‘Playmakeri’ 26-vjeçar ishte pjesë e kolegjit TCU, ku për katër vite kishte performancë të jashtëzakonshme, duke u bërë njëri ndër pikëshënuesit më të mirë në histori të këtij kolegji. Si profesionist, Anderson karrierën e nisi në Belgjikë te Okapi Aalstar. Performanca e tij e mirë në ligën belge i tërhoqi vëmendjen ekipit nga Bundesliga e Gjermanise, Medi Bayreuth. Në Bundesliga, Kyan vazhdoi me performancë shumë të mirë, duke përfunduar sezonin në vend të katërt me mesatare prej 12 pikëve për ndeshje. Në playoff Kyan dhe bashkëlojtarët e tij u mposhtën nga finalisti EWE Basket.




