Mbappe, Cavani… dëmtimet e shumta tronditin PSG-në
Paris Saint Germain fitoi thellë 4-0 ndaj Toulouse në javën e tretë të Ligue 1, por parizienët dolën “të sakatuar” nga kjo sfidë, pasi humbën “pjesë” shumë të rëndësishme të organikës për arsye dëmtimi.
Sigurisht që vëmendja kryesore shkon për Kylian Mbappe, që la fushën e lojën në minutën e 66-të, i zëvendësuar nga Zagre. Në fakt, problemi fizik i talentin francez ishte i treti në radhë brenda 90 minutave, pasi që në fillim të pjesës së parë Cavani e më pas Diallo e lanë lojën i dëmtuar, për t’u zëvendësuar respektivisht nga Choupo-Moting (realizoi dygolësh) dhe Tiago Silva.
Nuk është përcaktuar ende shkalla e dëmtimit të tre lojtarëve të sipërpërmendur e për rrjedhojë as koha që do të mungojnë, por tashmë është fakt që në vetëm 4 ndeshje zyrtare të sezonit të ri infermieria e kampionëve të Francës është mbushur plot, çka ngre dyshime për formën fizike të tyre.




