Mbappe dhe Lewandowski njëzëri për Botërorin: Na pëlqen të luajmë futboll, por ndonjëherë e teprojnë!
Kylian Mbappe dhe Robert Lewandowski dalin hapur kundër idesë për të zhvilluar Kampionatin Botëror një herë në dy vite. Dy sulmuesit pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Globe Soccer në Dubai, kanë theksuar se futbollistëve iu duhet kohë të rigjenerohen nga impenjimet e çdo sezoni, ndërsa francezi shton se atyre iu pëlqen shumë të luajnë futboll, por ndonjëherë teprohet me ngjeshjen e kalendarit.
“Nuk jam një fans i zhvillimit të Botërorit çdo dy vjet, ne kemi shumë ndeshje në sezonin e rregullt, shumë fundjava impenjative për të përgatitur kompeticionet ku marrim pjesë. Nëse njerëzit duan të shohin diçka speciale në fushë, atëherë futbollistët duhet të pushojnë dhe nuk e kam fjalën vetëm për në verë. Nëse zhvillojmë Botërorin një herë në dy vite, atëherë karriera e një futbollisti do të shkurtohet sepse është e pamundur fizikisht të mbash performanca të nivelit të lartë. Duhet të pushojmë që të përformojmë mirë”, u shpreh Lewandowski.
Në të njëjtën linjë me polakun, edhe Mbappe tha se: “Ne vërtet jemi të lumtur kur luajmë futboll, por ndonjëherë teprohet shumë. Duhet të rikuperojmë energjitë, të pushojmë. Nëse njerëzit kërkojnë emocione, nivel të lartë në ndeshje atëherë duhet respektuar edhe fiziku i një futbollisti”, u shpreh Mbappe.



