Premier League

Mbrojtësi i “Djajve të Kuq” nuk mban më: Mjaft me kërcënime!

Pa dyshim një ndër më të kritikuarit sezonin e kaluar në Angli, madje i shndërruar në objekt talljeje në memet e zakonshme të futbollit. Harry Maguire, thyen heshtjen. Qendërmbrojtësi i Manchester United, i cili vjen nga një sezon tepër i komplikuar, ka vendosur të flasë. Pranon kritikat, por këmbëngul se nuk duhet tejkaluar masa, aq sa t’i vihet në rrezik qetësia e familjes.

“Jam i vetëdijshëm se jam në qendër të vëmendjes dhe vlerësimit. E di që jam i ekspozuar ndaj kritikave, edhe ndaj atyre shumë të ashpra. Veç të tjerash, Manchester United ka paguar një shumë të madhe për mua. I pranoj totalisht kritikat kur pësojmë gol apo kryejmë gabime, i kam shpatullat mjaftueshëm të gjera për të duruar dhe pranuar situatën. Por ka edhe një linjë që nuk mund të kalohet. Edhe unë jam qenie njerëzore dhe, si të gjithë, kam një familje. Fjalët i lë të shkojnë, por kur bëhet fjalë për kërcënime, për bomba, në shtëpi, nuk është më futboll, bëhet çështje familjeje. Jam i lumtur që fëmijët e mi janë në një moshe kur ende nuk lexojnë dhe nuk ndjekin lajmet në televizion”.

Edhe me fanellën e Anglisë për Maguire nuk është një moment i lehtë. Edhe pse vendin në kombëtare e ka të garantuar, edhe me fanellën e “Tre Luanëve” ndonjëherë  disa tifozë e kanë vërshëllyer, si në rastin e sfidës në Wembley, kundër Bregut të Fildishtë.

“Që nga debutimi im me fanellën e Anglisë, tifozët kanë qenë fantastikë me mua. Kam qenë protagonist i disa prej ndeshjeve më të mëdha në historinë e kombëtares angleze. Deri tani kam përjetuar momente fantastike dhe nuk do të lejoj që një minorancë, nuk e di se sa, 10 apo 20 persona, të influencojnë raportin tim me pjesën tjetër të tifozëve anglezë. Gjithsesi, jam i sigurt se shpejt do të përjetojmë të tjera momente të mira së bashku. Kam qenë tifoz i Anglisë gjithmonë, kam qenë në Europian dhe i kam ndjekur në Francë, kështu që e di mirë se sa të apasionuar janë tifozët”.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency