Lajme

Mbrojtja për “turp”, Shpresat marrin vetëm 1 pikë në Andorra!

Një gol në minutën e 86-të i Din Sulës shpëtoi Shqipërinë e 21-vjeçarëve nga një humbje turpëruese ndaj Andorrës që u hakmorr një farë mënyre për humbjen e përfaqësueses së madhe duke ndalur Shpresat kuqezi në një barazim 2-2. Kjo ishte pika e parë për skuadrën e Alban Bushit në këto eliminatore, me Shqipërinë U-21 që tregoi sërish limite në mbrojtje duke i falur dy gola Andorrës. Mbrojtja është pika më e dobët e kësaj përfaqësuese që luan mirë në sulm krijon raste dhe shënon por prapa fut ujë nga të gjitha anët. Në minutën e 19-të sfida u zhbllokua teksa kapiteni Alaez kaloi në avantazh vendasit. Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime te Shqipëria. Pikërisht mesfushori i Shkëndijës së Tetovës, Omar Imeri i ardhur në fushë nga stoli barazoi rezultatin në të 53-ën. Por baraspesha zgjati vetëm 2 minuta sepse pas një gafe në mbrojtje të kuqezinjëve Alaez shënoi edhe golin e dytë për Andorrën. Pas shumë përpjekjesh dhe rastesh të krijuara, Shqipëria U-21 gjeti më në fund golin e barazimit pikërisht me sulmuesin Din Sula që i ardhur në fushë nga stoli shënoi golin e 2-2 në të 86-ën. Minutat e mbetura folën të gjitha në favor të skuadrës së Bushit që iu afrua golit të tretë por hasi në mbrojtjen e ngjeshur të Andorrës. Në fund vetëm një pikë për Shpresat kuqezi që pas humbjes së pamerituar ndaj Turqisë regjistruan një tjetër rezultat zhgënjyes.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency