Mbrojtje e blinduar dhe pjekuri në lojë, Roma përgatit hakmarrjen për humbjen më të thellë të Mourinhos
Plot 20 pasime radhazi “çorientuan” futbollistët e Sampdorias dhe sollën golin e Mkhitaryan, që i dha Romës një fitore mjaft të rëndësishme 0-1 në “Marassi” dhe një 3-pikësh që e blindon në vendin e pestë e i hap oreksin për të synuar një vend në zonën Champions.
Skuadra verdhekuqe po merr gradualisht fytyrën e Mourinhos, pasi ka “blinduar” mbrojtjen dhe tani kërkon me qetësi e durim rrugën për të shkuar te goli, teksa në këtë mënyrë ia ka dalë të marrë 22 pikë në 10 javët e fundit dhe t’u mbyllë gojën kritikëve.
Roma e Mourinhos ka arritur të marrë të njëjtën shifër pikësh me atë të Fonsecës një vit më parë, por në 7 javët e mbetura në kampionat, synohet që të bëhet edhe më mirë, ndërsa misioni i radhës quhet Conference League.
Në fazën e grupeve skuadra e Mourinhos pësoi një humbje turpëruese 6-1 në Norvegji ndaj Bodo/Glimt, duke sjellë më pas edhe disa rezultate negative në kampionat, ndërsa tani verdhekuqtë kanë rigjetur qetësinë dhe shorti u ka vënë sërish përballë nordikëve.
Të enjten kryeqytetasit do të udhëtojnë sërish drejt Norvegjisë, këtë herë për t’u hakmarrë dhe për të treguar se ajo humbje ishte një aksident, por në të njëjtën kohë edhe për të konfirmuar rritjen e skuadrës nga vjeshta deri tani.
Në fund edhe një lajm i mirë, pasi bomberi i skuadrës, Tammy Abraham, i cili u dëmtua në shpatull ndaj Sampdorias, nuk ka asgjë serioze dhe pritet të luajë sërish titullar të enjten ndaj Bodo/ Glimt.



