Mbyllet gjysma kampionatit, lufta mbetet në dy fronte!
Përfundimi i gjysmës së kampionatit në elitën e futbollit kosovar gjen Prishtinën në pozitën e parë në tabelë pas 17 javësh, diçka që skuadrës bardheklatër nuk i kishte ndodhur ndër vite. 40 pikë të grumbulluara deri tani dhe fakti që janë me vetëm 1 pikë me tepër se Feronikeli, dëshmon se ky edicion i Ipko Superligës ka bërë që skuadrat e kreut të gabojnë më pak se sa edicionet e kaluara. Aktualisht janë tri skuadra të shkëputura në krye, përveç kryesuesve është edhe Llapi afër, të cilët nuk mund të përjashtohen për asnjë moment nga gara për pozitën e parë. Siç dihet tashmë vetëm kampioni dhe fituesi i Digitalb Kupës kualifikohen në garat europiane që do të thotë se vetëm pozita e parë në kampionat vlen, eventualisht pozita e dytë në rast se trofeun e Kupës e fiton një skuadër që nuk plotëson kriteret për licensimin e garave evropiane. Sa i përket skuadrave të tjera, kampionja aktuale Drita ka dëshpëruar në këtë sezon. Startin e kishte katastrofik, pastaj erdhi një periudhë pozitive me trajnerin Shpëtim Duro, por pastaj sërish rezutlate jo të mira duke e mbyllur me -17 pikë nga kreu. Gjatë këtij sezoni pritej më tepër nga Trepça ’89, mirëpo ecuria e mitrovicasve ka qenë e dobët, pozita e 7-të me vetëm 22 pikë. Ndryshimet e shumta në përbërje i kushtuan trajnerit Gugash Magani i cili dha dorëheqjen, ndërsa u mundua të marrë sa më shumë pikë që të jetë e mundur në fund të gjysmëstinorit. Sa i përket pozitave të tjera të gjitha janë të poizicionuara bazuar në lojën që kanë shfaqur në fushë. Janari do të jetë një mundësi e mirë për përofrcime për skuadrat e fundit në tabelë siç janë Ferizaj apo dhe Liria para se të rikthehet Superliga në pranverë, që do të jetë një nga pranverat më të nxehta në futbollin kosovar.



