“Më gjej një ekip tjetër”, ylli i Atletico Madrid tërbohet me trajnerin Simeone
Joao Felix ka vendosur të largohet nga Atletico Madrid. Sulmuesi portugez, i cili u transferua nga Benfica tek Atletico Madrid për 127 milionë euro në verën e vitit 2019, është lodhur nga fakti që nuk po ia del të kthehet në një titullar fiks tek ekipi i Diego Simeones.
22-vjeçari kreu një nxehje të gjatë dhe në fund nuk zbriti në fushë në barazimin 0-0 ndaj Club Brugges në Champions League. Simeone zgjodhi të aktivizonte belgun Alex Witsel në minutën e 79’ në vend të Antoine Griezmann.

Ai ishte ndërrimi i pestë për Atleticon. Faktin që nuk u preferua fare nga trajneri i tij në një ndeshje që duhej fituar me çdo kusht, Joao Felix e priti shumë keq. Ky i fundit, ndjeshëm i zemëruar, hodhi fanellën në tokë, duke shfryrë gjithë dufin e tij.
Marca shkruan se lojtari i kombëtares portugeze ka takuar agjentin Jorge Mendes, të cilit i ka shprehur dëshirën për t’u transferuar diku tjetër në merkaton e dimrit. Joao Felix numëron 3 asiste këtë sezon, teksa është në kërkim të golit të parë.



