Me mendjen në Tiranë, Roma pëson dy gola për 11 minuta në Firenze
Roma e humb ende pa u nxehur muskujt ndeshjen me Fiorentinën në transfertë. Me sa duket me mendjen te finalja e “Conference League”, që do ta luajë në “Air Albania” përballë Feyenoordi të Roterdamit, skuadra verdhekuqe pësoi dy gola brenda 11 minutave lojë në “Artemio Franchi” të Firenzes, finalizime që mjaftuan për t’i dhënë fitoren Fiorentinës.
Pa u mbushur pesë minuta lojë, Gonzalez shndërroi në gol një 11-metërsh dhe vetëm gjashtë minuta më pas Bonavetura realizoi të dytin për ekipin toskan, me Romën që prakikisht e nisi me minus dy gola sfidë.
Kaq i mjaftoi Fiorentinës, për t’u kthyer te fitorja pas tri humbjeve radhazi, duke barazuar pikërisht Romën në kuotën e 59 pikëve. Gjithsesi, skuadra e Mourinhon ruan vendin e gjashtë vetëm falë golaverazhit më të mirë, pasi në sfidat e drejtrdrejtë janë në baraspeshë (3-1 në “Olimpico” dhe 2-0 në “Artemio Franchi”).



