“Më mungonte Premier League”, Coutinho tregon si “rilindi” në ishull
Philippe Coutinho pranoi ftesën e Steven Gerrard për t’u rikthyer në Premier League. Aston Villa gjeti akordin me Barcelonën për huazimin e lojtarit brazilian deri në fund të sezonit, me të drejtë blerje për shumën e 40 milionë eurove.
29-vjeçari është përshtatur për mrekulli tek ekipi nga Birmingemi, aty ku ka si trajner Gerrard, ish-kapitenin e tij te Liverpooli. Dy gola dhe dy asiste në 174 minuta aktivizim në kampionatin anglez për brazilianin.
Coutinho ka fituar besimin te vetja, ka lënë pas periudhën e errët te Barcelona dhe është rikthyer të dhurojë magji dhe klas në fushë. Rendimenti i mesfushorit ofensiv ka qenë fantastik në tre ndeshjet e para, dhe tifozët e Aston Villa urojnë që ai të mos ndalet.

“Më mungonte Premier League, më duhet të theksoj se tek Aston Villa më kanë pritur shumë mirë. Ndeshjet këtu janë shumë intensive, më pëlqen shumë ky stil futbolli”, deklaron Coutinho për Sky Sport.
Më pas një krahasim mes kampionatit anglez dhe La Liga-s spanjolle. “Në Spanjë luhet një futboll tjetër, atje mbahet më shumë topi, por nuk dua të jetoj me të kaluarën.
Kam ardhur në një klub të madh, dua të jap maksimumin dhe të shijoj futbollin tim. Atmosfera në ‘Villa Park’ është e mahnitshme. Edhe njerëzit që takoj në rrugë janë të vërtet të sjellshëm dhe të respektueshëm.
Më ka munguar realisht një gjë e tillë, ndërsa moti më pak. Në Angli bën shumë ftohtë”, deklaroi lojtari latin, i cili po rikthehet gradualisht lojtari që kemi shijuar te Liverpooli.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



