Më të mirët e javës në Superiore, shkëlqejnë 4 mesfushorë dhe 1 mbrojtës
Abissnet Superiore ka mbyllur javën e 13-të, teksa ditën e sotme ishte koha për të bërë disa balance dhe për të analizuar performancat e skuadrave dhe lojtarëve. Kështu, në emisionin “Analizë Superiore” të drejtuar nga Sokol Xhihani dhe Fatjon Bardhit, videoanalistit të kombëtares U19, janë evidentuar edhe pesë lojtarët më të mirë të pesë ndeshjeve të Superiores. Ajo që bie në sy është se katër prej tyre janë mesfushorë, ndërsa tjetri është mbrojtës anësor. Kështu, më i miri në ndeshjen mes Partizanit dhe Dinamos ka rezultuar të jetë Ergys Kaçe. Ish-futbollisti i kombëtares ia ka dalë të kompletojë 100% të pasimeve, ndërsa ia ka dalë të rikuperojë edhe 4 topa në gjysmëfushën kundërshtare.

Sakaq, një tjetër mesfushor që rezultoi vendimtar për skuadrën e tij ishte edhe Regi Lushkja. Ky i fundit shënoi golin vendimtar në sfidën e Laçit ndaj Tiranës, ndërsa statistikave të tij për këtë 90-minutësh i shtohet edhe 82% e pasimeve të sakta, si dhe 8 topa të rikuperuar në gjysmëfushën kundërshtare.

Ndërkohë, Sherif Kallaku shkëlqeu në ndeshjen që Teuta luajti ndaj Kukësit. Fantazisti i durrsakëve ishte 100% i saktë në pasimet e tij drejt ¾-tave në fushën kundërshtare, ndërsa ia doli të kryente me sukses edhe 4 nga 6 driblimet e tentuara.

Një tjetër mesfushor që bëri mirë dhe që është evidentuar në emisionin “Analizë Superiore”, ka qenë edhe Fjoart Jonuzi. Lojtari i shkodranëve, në sfidën ndaj Skënderbeut, ia ka dalë të jetë i saktë në 95% të pasimeve të kryera, ndërsa ka rikuperuar 9 topa në gjysmëfushën kundërshtare.

Ndërkaq, më i dalluari në sfidën mes Kastriotit dhe Egnatias ishte Sokol Neziri, i cili mbulon rolin e mbrojtësit në krahun e djathtë. 25-vjeçari, ka fituar 23 nga 25 duelet përgjatë 90-minutave, teksa ka rikuperuar edhe 14 topa, 5 nga këto në gjysmëfushën kundërshtare.




