Luiza Gega kthehet në Shqipëri si Kampione Europe dhe rrëfen emocionet e suksesit për SuperSport
Luiza Gega ka mbërritur në Shqipëri pas fitores së medaljes së arit në 3000 metra me pengesa në kampionatin Europian të Atletikës, e duke konfirmuar dhe një herë tjetër vitin e mirë që po kalon.
Duke folur për “Super Sport” nga aeroporti “Nënë Tereza”, Luiza u shpreh se ndjehet shumë e lumtur për suksesin e arrirë.
“Shumë e lumtur që pas gjithë atyre viteve sakrificë dhe përpjekje, rezultatet në ngritje, por më hapa të sigurt më çuan te kjo medalje, më e madhja në karrierën time. Kam pasur një vit të mirë, besoja se mund t’ja arrija, sigurisht që nuk ishte e sigurt medalja e artë, por isha mirë.”-tha ajo.
Më tej kampionia shtoi strategjinë që përdori për të fituar: “ Ne kemi një sport shumë të matshëm, kisha kohën më të shpejt në Europë dhe kjo më bënte të besoja se mund t’ja arrija. E besoja dhe e doja shumë, e kërkova që në fillim. Vrapova shpejt në fillim, analizova çdo kundërshtare për të shkuar në vijën e finishit e para dhe gjithçka shkoi siç shpresoja.”
Luzia tha ndër të tjera se është favorizuar nga stërvitja vetëm, ndërsa theksoi se u ndje shumë krenare për flamurin që përfaqësonte.
“Duke qenë se stërvitem vetëm, unë di të garoj vetëm, ndryshe nga kundërshtarët që duan dikë ta tërheq. Unë bëj një nisje të shpejt, në ndryshim nga kundërshtarët. Ky ishte gabimi i tyre që më ndoqën në fillim dhe nuk ishin mësuar me atë gjë dhe në fund nuk mundën të vazhdonin shpejt. Edhe ne mund t’ja dalim, mund t’ja dalim të jemi në maj te Europës. Jam ndjerë më krenare se kurrë për ngjyrat që përfaqësoja.”-tha Luiza Gega.
Atletja shqiptare ia doli që të kalonte e para vijnë e finishit, duke regjistruar kohën 9,11.31 dhe duke përligjur kështu dhe pritshmëritë e të gjithëve.
Gega ishte dominuese në pjesën me të madhe të garës duke qenë në avantazh për plot 2900 metra, ndërsa në fund kishte një avantazh prej gati 4 sekondash ndaj atletes më të afërt, që ishte gjermania Lea Meyer.
Duke përjashtuar 100 metrat e para, Gega ka kryesuar në 2900 metrat pasuese duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim e duke treguar se në këtë disiplinë nuk njeh asnjë rivale, së paku në kontinent.



