Mehmeti ka një mesazh për tifozët: Kemi ndryshuar filozofinë, forca e grupit mbi individin
Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Dinamos e vlefshme për raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë (takimi i parë është mbyllur në barazim 1-1). Tekniku i kryeqytetasve thekson se tashmë skuadra ka ndryshuar filozofi, ndërsa ka edhe një thirrje për tifozët të cilëve iu kërkon mbështetje në shkallët e stadiumit.
“Sigurisht suksesi që arritëm ndaj Teutës është një bonus emocional që të jep shumë entuziazëm, megjithatë duhet të jemi në ekuilibër sepse përpara është një ndeshje specifike kundrejt Dinamos. Jemi munduar që ta përgatisim ndeshjen në mënyrën e duhur, por doja edhe një thirrje për tifozerinë tonë të zjarrtë sepse janë shumë të rëndësishëm dhe ne nuk ia dalim dot pa ta. Gjithmonë tifozeria e kuqe ka bërë maksimumin për këtë skuadër dhe i bëj thirrje që nesër të jenë të pranishëm në stadium sepse janë pjesë e pandashme e jona.
Sfida ndaj Dinamos?
“E kemi vlerësuar në maksimum Dinamon. Do të futemi në fushë për të bërë maksimumin dhe do të duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi gjatë gjithë kohës në ekuilibër për të bërë maksimumin. Është një ndeshje specifike dhe duhet të udhëhiqemi jo vetëm nga dëshira, por sidomos edhe nga logjika sepse do të jenë 90 minuta të zjarrta”.
E shikoni Kupën si mundësinë e vetme për të arritur Europën?
“Unë nuk jam dakord që në kampionat ne e kemi humbur betejën, sepse janë edhe 51 pikë në lojë dhe ne jemi Partizani dhe do ta respektojmë gjatë gjithë kohës kampionatin javë pas jave. Nesër ne do të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, por jam i bindur që do i respektojmë të dyja kompeticionet si në Kupë ashtu edhe në kampionat”.
Vazhdimësia e rezultateve- “Duke patur parasysh që Partizani ka ndryshuar filozofinë, jo vetëm sepse ne zhvilluam një ndeshje të mirë me Teutën, por Partizani ka ndryshuar filozofinë e lojës, ka arritur që të injektojë një frymë tjetër duke pasur parasysh atë çfarë kemi dhënë deri tani. Pjesën e dytë me Dinamon kemi dominuar, në ndeshjen në Laç kemi interpretuar një sfidë shumë të mirë, pavarësisht dhe me Kastriotin kemi bërë një ndeshje të mirë e kemi spostuar lojën në gjysmë fushën e kundërshtarit. Kemi vuajtur pak përsa i përket qetësisë përpara portës, por ndeshjet janë të ndryshme dhe kanë histori të ndryshme”.
Gjendja e skuadrës?
“Po është e vërtetë. Kemi pasur shumë probleme për çështjen e virozëve dhe problemeve fizike, kemi pasur disa shqetësime. Kjo u vu re edhe në ndeshjen ndaj Laçit që kishim mungesa. Megjithatë unë e bazoj lojën te grupi, jo te individi që të gjithë janë të rëndësishëm. Skuadra e ka treguar me mungesat që forca e grupit ka dalë mbi individin. Ne nuk e meritojmë që të jemi këtu dhe i shohim javë pas jave dhe pas çdo ndeshje që ne kryejmë do të shohim dhe objektivin. Nuk mund të flasim për gjëra që për momentin nuk shihen dot përpara”, u shpreh Mehmeti.



