Mehmeti: Shkodranët do të na duartrokasin në Loro Boriçi, ja vështirësia e Skukës
Trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme në kampionat ndaj Laçit. Tekniku i të kuqve, theksoi se kurbinasit janë një kundërshtar i mirëorganizuar ndërsa shton se në sfidën e kthimit në Kupë ndaj Vllaznisë, publiku shkodran do t’i duartrokasë nëse “Demat” e meritojnë të kalojnë në finale.
“Laçi është një kundërshtar i mirorganizuar dhe me meritë është pozicionuar në tabelën e klasifikimit. Shkalla e vështirësë mbetet pasi është një ekip me element cilësor. Përsa i përket përballjes së fundit që ne kemi zhvilluar në Laç mendoj që kemi dhuruar një ndeshje të mirë, por nesër do të jetë tjetër histori. Normalisht do të na duhet të bëjmë maksimumin sepse synojmë të kemi vazhdimësi, skuadra duhet të rritet në aspektin psikologjik dhe mënyrën sesi e interpreton lojën ndaj kundërshtarëve të ndryshëm”.
Mungesa e golit në ndeshjet e fundit – “Shpresoj që në vazhdim të shënojmë dhe lojtarët e repartit sulmues të jenë pak më të qetë, sepse alternativat dhe mundësitë kanë qenë që të shkojmë te porta e kundërshtarit. Po t’i referohemi 3 ndeshjeve të fundit në kampionat dhe kupë mendoj që kemi humbur 2 penallti dhe një rast flagrant me Zhunior si dhe rastin e Skukës që u ndal nga shtylla. Skuka është një lojtar me cilësi shumë të mira, por vështirësia e tij është që duhet patjetër të sinkronizohet me shokët dhe duhet të dijë kur duhet të shërbej dhe kur duhet të godas portën”.
Gjendja e Kallakut – Me Kallakun stafi mjekësor po bën maksimumin , sepse ai nuk është në gjendjen e tij më të mire shëndetësore. Një nga faktorët kryesor besoj është gjendja e tij fizike që nuk po arrin te forma e tij më e mirë të shikojmë Kallakun që njohim. Shpresojmë që Kallaku të jetë sa më shpejt në formën e tij më të mirë fizike dhe të na ndihmoj pasi është një vlerë e shtuar. Megjithatë ekipi ka element, ne e bazojmë lojën te grupi kështu që do mundohemi të bëjmë maksimumin”.
Rrapaj dhe Zhunior mungesat e radhës – “Për të qenë i sinqertë ne kemi një skuadër me shumë element, gjithsecili ka vlerat e veta pavarësisht se janë të barabartë, por mungesat janë të rëndësishme. Rrapaj është një lojtar i cili i jep një frymëmarrje repartit të mesfushës dhe është një mungesë të cilën e kemi vuajtur edhe në ndeshjen me Vllazninë. Ai ka pësuar një tërheqje muskulore dhe shpresoj ta kemi sa më shpejt në dispozicion të skuadrës”.
Ndaj Vllazninsë ishte një Partizan më të kujdesshëm, do jetë e njëjta gjë ndaj Laçit – “Në aspektin teknik përsa i përket ndeshjes me Vllazninë patjetër që ka tensionin po të kemi parasysh që kupa është një kompeticion specifik me dy takime dhe me sistem eleminimi dhe duhet të jesh i kujdesshëm të mos pësosh gol. Më vjen keq se luajtëm me shumë kujdes por skuadra shfaqi edhe pak tension përsa i përket rezultatit. Kërkoi ta merrte me ngulm, por mendoj që ekipi duhej të ishte përshtatur pak më shpejt edhe me terrenin sepse edhe terreni jo për t’u justifikuar ul pak cilësinë e lojës dhe në të tilla situata mendoj se edhe kundërshtari nuk ishte në lartësinë e duhur. Mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Në Shkodër do të jetë një ndeshje shumë e luftuar një finale, shpresoj që të japim gjithçka dhe të fitoj më i miri”.
Barazimi me Vllazninë në Kupë – “Tashmë e kemi mbyllur kapitullin e ndeshjes së parë në Kupë, sepse është një rezultat 0 – 0 dhe të dyja skuadrat kanë mundësitë e veta. Duke patur parasysh që luajmë edhe në Shkodër një qytet që e do futbollin, kanë kulturën për ta mirpritur Partizanin dhe nëse ne do bëjmë diferencën dhe do ta meritojmë në fushë publiku shkodran jam shumë i sigurtë që do të na duartrokasi”.
Nëse arrihet Europa është menduar për një skuadër kompetitive – “Mendoj që kjo pyetje nuk më përket mua, por drejtuesve. Unë jam i fokusuar vetëm te pjesa e trajnimit dhe përgatitja e ndeshjes së radhës, sepse pothuajse për dy javë kemi luajtur 5 ndeshje përfshirë edhe impenjimin e lojtarëve tanë me ekipin përfaësues shpresa Marku dhe Cara të cilët për 7 ditë kanë luajtur 3 ndeshje, diçka aspak normale. Jam fokusuar vetem tek ndeshja me Laçin nuk kam kohë të mendoj për më gjatë dhe smë takon mua. Duhet patjetër që të dalim nga kjo situatë duke punuar fort dhe fokusohemi vetëm për ndeshjen e radhës”.



