Kategoria Superiore

Mehmeti: Skuka i edukuar keq! E ardhmja? Kam një mesazh për drejtuesit

Të eliminohesh nga gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë nga penalltitë është e dhimbshme, por Partizani nuk ka kohë për t’u marrë me ndeshjen e mesjavës ndaj Vllaznisë. Tani fokusi te kampionati, aty ku ekipi kryeqytetas renditet në vend të katërt me 41 pikë, katër më pak se Kukësi.

“Demat” e Dritan Mehmetit presin Skënderbeun në “Elbasan Arena” të dielën (16:45), sfidë që do të transmetohet në Supersport 4. Trajneri preku disa tema gjatë prononcimit për mediet, aty ku nuk munguan fjalët për Xhuliano Skukën.

VLLAZNIA – “Ndihet në aspektin psikologjik rënia te futbollistët, por kemi zhvilluar një sfidë të mire ndaj Vllaznisë. Duhet të kishim lojtarë me më eksperiencë, kishim mundësitë të shkonim 2-0 me traversën e Skukës, por edhe një situatë tjetër po me Skukën, i cili mund të shërbente për Kallakun. Situata që ndodhin, por janë ndeshje me tension dhe duhet qetësi”.

SKUKA – “Skuka është një djalë i talentuar, ai është njeri shumë i mirë dhe pozitiv. Problemi i tij është që është edukuar sportivisht keq para se të vinte te Partizani. Ai vjen nga ligat inferior, dhe të bësh diferencën e të ngjitesh kaq shpejt në majën e futbollit shqiptar është e vështirë të sinkronizohet. Skuka nuk është egoist, por është mësuar të luajë ashtu. Jam munduar të punoj me të në aspektin psikologjik, por edhe taktik. Ka vlera, ka karakter të fortë dhe do ta kalojë shumë shpejt këtë situatë”.

SKËNDERBEU – “Ne do ta respektojmë kundërshtarin. Në të tilla raste kur kundërshtari i ka humbur objektivat dhe luan pa presion, mund të na vështirësohet situata. Duhet të jemi shumë të vendosur, të mos e nënvlerësojmë Skënderbeun”.

KONTINGJENTI – “Kemi pasur probleme me dëmtimet. Stenio Junior ka probleme me kaviljen. Edhe Rrapaj vinte nga një dëmtim, e zëvendësova në Shkodër sepse më kërkoi ndërrim”.

PARTIZANI – “Presioni është gjithmonë te Partizani, jo vetëm te stafi, por edhe te lojtarët, sepse është vetë fanella që ta imponon. Partizani është një klub i madh, gjithmonë ka pretenduar objektiva të mëdha. Të vjen keq, sepse nuk e meritonim të largoheshim nga Kupa e Shqipërisë. Presioni është edhe te klubet e tjera. Kush do të dijë ta përballojë më së miri presionin, do t’ia dalë”.

MESAZHI – “Unë jam i fokusuar që të arrij objektivat që ka klubi. Kam marrëdhënie të mirë me presidentin, por edhe me drejtorin. Jam munduar të bëj maksimumin. Kemi bërë themelet që të ndërtojmë një skuadër kompetitive dhe për kampion. Me ose pa Mehmetin, duhet që Partizani të mos gabojë më në merkato. Duhet të vijnë lojtarë me karakter, lojtarë fitues, të cilët dhe duhet të dinë vlerën e fanellës”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency