Mema: Ekipi më ndjek, por na mungon qetësia. Koha të flas me Halilin
Tirana ngeci në një barazim 2-2 në Vlorë ndaj Flamurtarit, pasi pësoi një gol në minutat shtesë, ndërsa trajneri i bardhebluve Ardian Mema nuk e fshehu zhgënjimin dhe në intervistën e dhënë për Supersport pranoi se ekipit të tij i mungon qetësia.
Çfarë i mungon ekipit për të mbyllur ndeshjen?
I mungon qetësia, por dhe ndeshja ndaj Partizanit ka lënë gjurmë në ekip. E administruam ndeshjen mirë ,por në fund e falëm. Kishim çdo gjë në dorë dhe mbaroi kështu si mbaroi.
Skuadra tërhiqet artificialisht kur kaloni në avantazh. Pse?
Goli i parë ishte faull, hera e parë që shkoi Vlora në sulm dhe vjen një autogol nga Ngo. Ndërsa në minutat e fundit, ekipi u tërhoq poshtë natyralisht për të mbrojtur avantazhin, por duhet të bënim presion te topi dhe jo të linim kundërshtarin të krosojë pas shpine.
Pse mungoi Hoxhallari? Pse u zëvendësua Lika? A e vështirëson pozitën tënde?
Lika pati një problem në shpinë dhe u detyruam ta ndërronim. Të ndërrosh portierin, është si të djegësh një zëvendësim, ndaj nuk e bëra me qejf, por terapistët më thanë që duhej ndërruar. Për pjesën e Hoxhallarit, bëni mirë të pyesni klubin, pasi është vendim administrativ i klubit, jo i imi. Për pjesën time, do flas me Halilin, është momenti të flasim. Nëse ekipi luan keq, është gabimi im. Në këtë ndeshje, por edhe më parë, mendoj se i kemi përgatitur mirë. Kemi probleme në pjesën e qetësisë, kjo na ka sjellë edhe golat.
E ke ekipin me vete?
Kur ekipi luan mirë, krijon dhe shënon, normalisht po. Ka mundësi të shumta shënimi, ky ekip më ndjek. Edhe në festimin e golave, të gjithë lojtarët u afruan te unë. Nuk mendoj se është temë që ta diskutoj unë këtu.
Pse mungon qetësia?
Ky është moment që duhet analizuar. Pyetja është e vërtetë, ia bëj edhe vetës, por duhet t’i marr gjërat me qetësi.



