Kategoria Superiore

Mema: Nuk kam ardhur të stërvit fëmijë, gabimet po na ndëshkojnë

Tirana luajti ndeshjen e dytë nën drejtimin e Ardian Memës dhe mori një barazim në transfertën ndaj Kamzës, por mund të kishte marrë edhe më shumë, nëse nuk do ishte për një gabim të portierit veteran, Ilion Lika. Vetë tekniku bardheblu nuk e fshehu zhgënjimin e këtyre gabimeve individuale të të tijve, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli”, në Supersport.

Një tjetër ndeshje e mirë, por sërish fitorja mungon…
Është për të ardhur keq, që në të dy rastet kemi pësuar gola pas gabimeve tona foshnjarake. Edhe në Vlorë, por edhe sot, kemi pësuar gola tërësisht të evitueshëm, që nëse do t’i kishim shmangur, do ishim folur për një situatë krejt tjetër. Jemi ndëshkuar nga disa lloj gabimesh, në të cilat nuk hyn fare roli i trajnerit, pasi nuk janë probleme rreshtimi, apo interpretimi të lojës.

Javën e parë përmendët aspektin psikologjik, ndërsa këtë herë atë teknik. Mendoni se skuadra po vuan presionin e situatës ku ndodhet dhe a keni një recetë për të dalë nga kjo situatë?
Siç e thashë, po pësojmë gola fëmijërorë dhe unë nuk jam këtu për të stërvitur fëmijë, por futbollistë. Këto gabime që kemi bërë në këto dy ndeshje, mësohet që të mos bëhen, që në hapat e parë të futbollit. Nuk jam për të ndëshkuar lojtarë, apo për të çuar mesazhe, por situata është e këtillë.

Në krahët e mbrojtjes, keni përshtatur lojtarë, që nuk e kanë rolin natyral…
Doka sot na u dëmtua dhe u detyruam që të aktivizojmë Dajën në krah të djathtë, që gjithsesi bëri shumë mirë edhe ai. Është fati im i keq, që në këto ditë të para, jam përballur edhe me dëmtime të shumta, që nuk më kanë lejuar të përzgjedh më të mirët.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency