Memelli: Marr përgjegjësinë e humbjes, “harruam” Bardhin te rasti i golit
Laçi pësoi humbjen e parë nën drejtimin e Migen Memellit, por në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, vetë tekniku pranoi rezultatin, duke evidentuar lodhjen dhe pakujdesinë e të tijve.
Vjen edhe humbja e parë, pas dy fitoresh nën drejtimin tuaj…
Partizani është skuadër e mirë, nuk kemi pse e fshehim këtë të vërtetë. Është pak e dhimbshme për mënyrën si erdhi loja. Gabimet kam dëshirë t’i marr përsipër vetë. Dua t’i shkarkoj lojtarët nga kjo përgjegjësi. Do të punojmë fort, por duhet të theksoj se kemi bërë një ndeshje të mirë. Jemi mbrojtur mirë, por futbolli është lojë episodesh. Kemi pasur shanset tona dhe nuk i kemi shfrytëzuar, por për mënyrën si erdhi loja, rezultati ishte i drejtë.
A është Partizani më i fortë se Skënderbeu?
Kanë një mënyrë loje të dyja këto skuadrat. Treshja e sulmit të Partizanit është shumë e mirë dhe jemi munduar t’i izolojmë. E bëmë, por na shpëtoi detaji me Bardhin, në goditje standarde dhe e pësuam .
Kartoni i kuq i Berishës?
Ishte më se i merituar. Kur diçka duket dhe është reale, nuk kemi pse merremi më të diskutojmë.
Ekipi dukej i lodhur sot…
Kur ndeshjet bëhen çdo 3 ditë, është e vështirë që skuadrën ta kthesh në gjendjen optimale për çdonjërën prej takimeve. Sot kërkuam të jemi në ekuilibër, duke ditur rrezikshmërinë e Partizanit në sulm, por nuk ia dolëm.



