Memelli: S’e mendoj rrëzimin, ndaj Vllaznisë fitorja e vetmja alternativë
Skënderbeu-Vllaznia është ndeshja e parë e javës së 22 në Abissnet Superiore. Dy ekipet do të përballen në Korçë të premten, duke filluar prej orës 16:45, sfidë që do të transmetohet në Supersport 3. Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli foli për mediet rreth sfidës së vështirë. Juglindorët renditen në vend të fundit dhe kanë nevojë më shumë se kurrë për një fitore, që mungon prej 7 javësh.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë pikë të sezonit, na duhen pikët dhe jo loja e mirë. Edhe pse kemi mungesa, ne si staf kemi krijuar një klimë pozitive tek ekipi. Rrëzimi nga kategoria është gjëja e fundit që mendoj. E them me bindje se kur të plotësohet klubi, do e shikoni se sa solid do të jetë Skënderbeu dhe çfarë rezultatesh do kemi.
Duhet të japim maksimumin, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që situata duhet të përmirësohet për të pasur një rritje psikologjike në javët në vazhdim. Nëse fitojmë nesër, ana psikologjike do të rritet dhe gjendja e skuadrës do të jetë më e mirë. Janë shumë javë për t’u luajtur dhe çdo javë është e rëndësishme.
Vllaznia? Do të tregoja mungesë respekti nëse do të flisja për Vllazninë. Çdo skuadër ka planet e veta. Mendoj që jemi dy qytete të përafërta për nga kultura sportive. Nesër do të zhvillojmë një ndeshje të pastër, shpresoj të fitojmë”, deklaroi trajneri i ekipit korçar.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



