Mërgjyshi: Ishte ndeshje vitrinë për të rinjtë, objektivi ynë është kampionati
Apolonia po bën mjaft mirë në Kategorinë e Parë dhe është pretendente për t’u rikthyer në Superiore, ndërsa sot zhvilloi një 90-minutësh me mjaft nivel edhe përballë Kukësit në sfidën e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ndonëse humbi vetëm në shtesë.
Trajneri i fierakëve Mërgjyshi vlerësoi maksimalisht paraqitjen e të tijve, ndonëse pranoi se kishte diferenca të mëdha me Kuksësin, kryesisht në aspektin e eksperiencës, duke qenë se Apolonia ka shumë lojtarë të rinj në përbërje.
Një ndeshje e mirë përballë një kundërshtari të fortë, por një humbje që vjen vetëm në sekondat e fundit…
Është për të ardhur keq, pasi e kishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, pavarësisht se objektiv kemi kampionatin. Donim të bënim një ndeshje të mirë, për të promovuar lojtarët, pasi ishte një sfidë për reklamë. Ishte ndeshje agresive dhe Kukësi ishte superior në letër, por ne provuam shanset tona. Në pjesën e dytë kemi bërë mirë dhe kishim mundësi për të kaluar ne në avantazh. Goli na motivon për ndeshjet e radhës.
Sfida e radhës, është një miniderbi me Lushnjën për kampionat…
Ndeshja ndaj Lushnjës do të jetë ndeshje tjetër, do të ndryshojnë rrethanat. Me Lushnjën duhet vetëm të fitojmë. Ata kanë lojtarë me shumë eksperiencë, ndërsa ne kemi më shumë dinamizëm, energji dhe ego. Duhet ta shfrytëzojmë për të marrë maksimumin, pasi nuk kemi rrugë tjetër.
Shumë lojtarë të rinj në përbërje…
Këtu bëhet një punë e mirë. 70 % e ekipit kanë qenë pjesë e akademisë, Sota, Mihana, Gjata, etj. Bëhet një punë e mirë. Janë lojtarë premtues që unë besoj shumë se dhe në Superiore nuk kanë ndonjë diferencë. Skuadra shprehet mirë, ka besim, dëshirë, grintë dhe luan si e barabartë.
Sa do ndikojë pozitivisht fakti që keni lojtarë me kontrata afatgjata?
Gjëja e mirë këtu është që lojtarët janë më kontrata afatgjate. Nuk largohet asnjë lojtarë, përveç atyre që mund të shiten. Sot kishim edhe 2 mungesa kryesore. U plotësuam me lojtarë të U-19. Në qoftë se do të arrijmë në Superiore do të ndërhyjmë dhe do të forcojmë skuadrën. Kemi nevojë për lojtarë me eksperiencë. Si sot na ka ndodhur edhe në ndeshje të tjera. Duhen lojtarë me eksperiencë



