Mërgjyshi: Sot dominuam takimin, më pëlqen grinta e lojtarëve
Laçi vijon të mbetet i pamposhtur edhe pas javës së 7 të kampionatit shqiptar, madje merr përkohësisht edhe kryesimin e renditjes, ndërsa trajneri Artan Mërgjyshi nuk e fsheh kënaqësinë për këtë fakt, në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.
Tjetër fitore, që këtë herë ju ngjit në krye…
Më tepër më gëzon performanca e ekipit sot, pasi kemi qenë ne që kemi udhëhequr lojën, thuajse gjatë gjithë 90-minutëshit. Më pëlqen grinta dhe agresiviteti që ekipi shfaq në fushë.
Keni shënuar nga një gol në 3 ndeshjet e fundit, duke marrë maksimumin?
Është e vërtetë që kemi marrë maksimumin. Futbolli ka situatat e veta, pasi nga një anë duhet të jemi të qetë, sidomos kur jemi në avantazh. Kundërshtari na rrezikoi sot dhe mund të barazonte. Lojtarët që futen nga stoli janë më të freskët, por edhe terreni ishte pak i keq sot.
Befasuat me zgjidhjen e Shtubinës në majë të sulmit…
Mendova Shtubinën në krye të sulmit duket ditur eksperiencën e tij. Xhixha i bën shumë mirë detyrat e tij, ai ishte aty për të bllokuar Siljanovskin.
Skuadra hyn në tension për të kërkuar fitoren dhe normal që Flamurtari do të ishte prezent te gjysmëfushën tonë. Lojtarët ranë pak fizikisht dhe prandaj ndodhi që vlonjatët na futën në vështirësi, por ata edhe shtuan forcat në sulm.



