Merkato e bollshme, Kukësi duhet kolauduar
Ashtu si në çdo periudhë merkatoje, Kukësi edhe këtë verë ka pësuar ndryshime të mëdha, duke nisur nga stoli, për të vijuar me lojtarët në fushë. Rikthimi i Armando Cungut është parë si një lëvizje pozitive, pasi trajneri shkodran e njeh mirë ambientin, pavarësisht se nga koha që ai e ka drejtuar këtë skuadër grupi ka pësuar ndryshime të mëdha.
Harallamb Qaqi, Ardian Cuculi, Reginaldo, Haris Herba apo edhe Arber Çyrbja janë afrime të rëndësishme, që i shtojnë vlerat një grupi i cili edicionin e kaluar arriti të siguronte vendin e dytë. Megjithatë, ka patur edhe largime të rëndësishme, sidomos ajo e brazilianit Elton Cale, për të cilin klubi pretendon se është nën kontratë. Handikapi më i madh i verilindorëve në këtë start të kampionatit është fakti që trajneri u ndryshua gjatë ecurisë europiane, duke mos i dhënë kohën e duhur Cungut të njohë ekipin.
Pikërisht ky është misioni i 45-vjeçarit, të kolaudojë skuadrën, të bashkojë pjesët në grupin që këtë edicion ka ambicie të mëdha. Ekipi do kohë për të krijuar harmoninë e duhur, ndërkohë që trajneri pret ende dhurata nga merkato. Edhe pas sfidës hapëse ndaj Lacit Armando Cungu ka bërë të ditur që skuadrës i nevojiten ndërhyrje për të qenë e plotë dhe synuar titullin kampion.



