Merkato pa shpenzuar para, Barcelona nis bisedimet me sulmuesin e Juventusit
Situata ekonomike e Barcelonës nuk është më e mira dhe drejtuesit e klubit katalanas po fokusohen përforcimi i skuadrës me lojtarët pa kontrata.
Një nga objektivat e klubit spanjoll është Federico Bernardeschi, i cili ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Juventusin.
27-vjeçari italian, i cili fitoi Euro 2020 në verë me kombëtaren e kaltër, ka vendosur të mos rinovojë kontratën.
“Zonja e vjetër” kërkon të zgjasë bashkëpunimin por me ulje rroge, opsion që nuk pranohet nga sulmuesi i djathtë.
Drejtuesit e Barcelonës kanë nisur bisedimet me Federico Pastorello, menaxherin e Bernardeschit, për të transferuar këtë të fundit në “Camp Nou” në fund të sezonit.
Kalimi në La Liga e tundon lojtarin ofensiv të Juventusit, por drejtuesit e Barcelonës duhet të presin janarin për të firmosur një parakontratë me të.




