Conference League

Mesfushë dhe sulm zhgënjyes, Tirana “ngec” në Europë/ Shpëton Bekaj

Champions apo Conference qoftë, Europa mbetet një mal i lartë për tu ngjitur për Tiranën. Kampionët e Shqipërisë koleksinuan një tjetër dështim në verën e kompeticioneve kontinentale, këtë herë përballë Zrinjskit, fitues 1-0 në Air Albania, për fatin e keq të tifozerisë bardheblu që ashtu si ndaj Dudelange, kishin krijuar një atmosferë ideale.

Në fushë ju duhet të shohin sërish një Tiranë thuajse impotente, një makinë ku shumë ingranazhe nuk funksionojnë dhe që nuk mund të garojë si duhet. E vërtetë, ndeshja u vendos nga një penallti ndoshta bujare e gjyqtarit qipriot Souteriu, por përtej golit, boshnjakët dolën 3-4 herë para Bekajt, ndërsa bardheblutë e patën të vështirë të krijojnë një rast të hajrit. Tirana në Europë ngjason me një krijesë jashtë habitatit të saj natyral, dhe ku pak a shumë ngecin të gjithë, dhe pak kush mund të evitojë notën negative.

Nëse në një ndeshje më i miri i skuadrës është portieri, në këtë rast Bekaj kjo do të thotë shumë. Pjesa tjetër, shumë zhgënjime, më së shumti mesfusha, e ngecur në bllok në klasë, në fushën e Air Albania ishte një Tiranë me largësi kilometrike mes mbrojtjes e sulmit, me repartin ndërlidhës që nuk justifikoi emrin, pothuajse asnjë pasim filtures, topa të kthyer pas deri në mërzi, ose më së shumti, ndonjë pasim i gjatë, i vështirë për tu kapur nga Seferi.

Fakti që në një ndeshje europiane Shehit i duhet ta improvizojë qendërsulmues do të thotë shumë edhe për organikën dhe merkaton. Ismajlgeci një kapiten në hije, me shumë pak personalitet në këto ndeshje, në teori krahu ku janë ai me Xhixhën duhet të ishte i Tiranës, por nuk ndodhi kështu.

Limaj sërish zhgënjyes, edhe pse shpresat te rikthimi i tij ishin të shumta, po ashtu dhe Toshevski që kupton se blerja e Hussein është pikërisht për faktin se nuk ka qenë në lartësinë e duhur. Të rinjtë, Qefalia në debutim apo Gjumsi nga stoli, treguan se ndeshje të tilla ndoshta janë shumë të rënda për shpatullat e tyre, sidomos kur skuadra has vështirësi si e tërë.

Pas një jave luhet në Bosnje dhe Tirana niset nga një disavantazh minimal, por për atë që ka shfaqur, e vështirë të shpresosh një përmbysje. Do të ishte shumë e bukur për të qenë e vërtetë në një kohë kur bardheblutë nuk kanë qenë superiorë në asnjë nga ndeshjet europiane.

Çështje niveli? Diçka e vështirë për t’u pranuar por deri në provën e kundërt, kjo nuk është një skuadër për skenat europiane, për kampionatin pastaj, varet nga rivalët.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency