Mesfushori i Dudelange “kërcënon” Tiranën: Stadiumi i tyre i mrekullueshëm, por i eliminojmë
Tirana luan të mërkurën ndeshjen e vlefshme për turin e parë të Champions League ndaj Dudelange. Bardheblutë do të provojnë të marrin një rezultat pozitiv në transfertë e Luksemburgut, për të pasur më pas shanset e kualifikimit në stadiumin e kryeqytetit, Air Albania.
Gjithsesi, në radhët e kundërshtarëve, Tirana duket se nuk i imponon frikë teksa mesfushori i Dudelange, Charles Morren shprehet së fundmi se bardheblutë janë një kundërshtar i kalueshëm ndërsa shton se në ndeshjen e kthimit, fusha nuk do të ketë shumë efekt pasi stadiumi sipas tij nuk do të jetë i mbushur.
“Objektivi jonë kryesor është të kalojmë këtë raund, Tirana për ne është një kundërshtar i kalueshëm. Mendoj se nëse ne luajmë në nivelin tonë më të mirë, atëherë i mposhtim. Nëse kalojmë këtë raund atëherë do të kemi në program minimalisht edhe 6 ndeshje, kështu edhe financat e klubit do të përmirësohen”.
Ndeshja e kthimit luhet në Tiranë, stadiumin ku u zhvillua finalja e Conference League, çfarë ndjesie ju jep? “Po, e di do të luhet në një stadium të madh. Është një stadium i mrekullueshëm, por nuk ka për t’u mbushur plot. Do të jetë gjithsesi një eksperiencë e bukur”, u shpreh Morren.



