Mesjava e Superiores/ Nga përballja e mbijetesës te transferta e kryesuesve, Partizani pret Kukësin
Mesjava do të sjellë përbaljet e javës së 23-të të Abissnet Superiore, takimet e së cilës do të luhen në harkun kohor të dy ditëve. Të mërkurën do të zbresi në fushë katër skuadrat e para teksa Teuta do të kërkojë të rikthehet tek fitorja pas barazimit me Kukësin, e diçka të tillë do ta synojë pikërisht ndaj kryesuesve të Tiranës. Djemtë e Detit duan që të vijojnë me serinë e ndeshjeve pozitive, por nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj bardhebluve që vijnë pas një suksesi fantastik me Laçin, rivalin direkt për titull që e mundën me rezultatin 4-1. Tirana kërkon një fitore që do e mbante lart moralin para derbit të shumëpritur me Partizanin në fundjavën e ardhshme.
Po në orën 16:45, Partizani do të presë Kukësin në një tjetër përballje interesante. Kryeqyteasit kërkojnë me çdo kusht që të afrohen me vendin e tretë e do të provojnë që ta bëjnë diçka të tillë pikërisht duke kërkuar maksiumin ndaj Kukësit. Verilindorët janë shumë larg Tiranës tashmë e duan që sa më parë të sigurojnë zonën europiane ndaj Partizanit. Në dy takimet e zhvilluara këtë edicion me të kuqtë, Kukësi nuk ka pësuar asnjë humbje.
Të enjten do të luhen dhe tre takimet e radhës të kësaj jave, ku në Kamzë do të zhvillohet një tjetër finale mbijetese. Kastrioti do të presë Skënderbeun, në një sfidë që mund të vendosë shumë për fatin e mbijetesës. Korçarët më në fund morën një pikë pas 5 humbjesh radhazi e do tentojnë që të lënë vendin e fundit ndaj krutanëve që në shtëpi kanë treguar se shpalosin forcën e tyre dhe në këtë vit kalendarik ka qenë një ekip që ka treguar një fytyrë tjetër.
Paralelisht do të luhet dhe në Laç, me kurbinasit që do të kërkojnë të lënë pas humbjen me Tiranën e të kthehen tek rezultatet pozitive. Bardhezinjtë në shtëpi janë ekipi me shifrat më të mira në javët e fundit, por Egnatia këtë edicion ka marrë fitore në fazën e parë, ndërsa në Kupë barazoi pa gola, duke treguar se di se si mund të marrë pikë në këtë transfertë. Rrogozhinasit po ashtu vijnë pas fitores me Kastriotin dhe e kanë moralin lart.
Ndeshja e fundit do të luhet në Shkodër, me Dinamon që viziton Loro Boriçin. Dinamo kërkon të lërë krizën pasi barazoi në derbin me Partizanin, megjithatë nuk do të jetë një mision dhe aq i lehtë, pasi Vllaznia në shtëpi këtë edicion ka pësuar vetëm një humbje, çka tregon forcën e tyre nën mbështetjen e tifozerisë kuqeblu.



