Kupa e Mbretit

Messi nuk gjen paqe: Liverpooli njollë e pashlyeshme, hodhëm poshtë punën e trajnerit

Barcelona do të përballet nesër me Valencian në finalen e Kupës së Mbretit, trofe që synon ta fitojë për herë të pestë radhazi, ndërsa për herë të 9 në histori do të synojë të bëjë dopietë trofesh (Kupë dhe kampionat).

Në konferencën e sotme për shtyp doli edhe kapiteni i katalanëve, Lionel Messi, të cilit “i kishte mbetur ora” te Champions League, ku Barcelona u eliminua nga Liverpooli, ndonëse kishte fituar 3-0 në “Camp Nou”.

“Ka qenë një goditje e fortë dhe “Anfield” do të mbetet një njollë e pashlyeshme për ne. Pas Romës vitin e kaluar, e dinim që nuk duhet të ndodhte sërish, por ja që ndodhi. Në fushë kishte vetëm një skuadër dhe ajo u kualifikua në finale”, tha Messi.

Pas ndeshjes së “Anfield Road”, të shumta ishin kritikat edhe në drejtim të trajnerit Ernesto Valverde, veçanërisht për zëvendësimet që ai përdori, që ishin thuajse të njëjta me ato të bëra një javë më parë në “Camp Nou”, por nuk ndan të njëjtin mendim Lionel Messi.

“Valverde sigurisht që ka një pjesë të përgjegjësisë në shpartallim, por ne futbollistët kemi shumë më tepër. Ishte diçka e tmerrshme, që nuk duhet ta kishim lejuar të ndodhte, pasi shkatërruam edhe punën e mirë të trajnerit, gjatë gjithë sezonit. Nuk mund të bëjmë paraqitje të tilla kur luhet për finalen e Championsit, nuk duhet t’ia lejojmë vetes”, tha argjentinasi.

Në fund Lionel Messi e mbylli me një analizë të vitit të tij të parë si kapiten i Barcelonës, duke thënë se sheh shumë nota pozitive në tërësi, ndërsa evidenton mbrëmjen e “Anfield”-it si të vetmen njollë.

Kujtojmë që finalja e Kupës së Mbretit, mes Barcelonës dhe Valencias, do të luhet nesër në mbrëmje në Andaluzi dhe do të transmetohet live në ekranin e Supersport.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency