Metamorfozë e pashpjegueshme e Flamurtarit, por sezoni mund të shpëtohet
Është në kufijtë e së pamundurës të japësh një shpjegim të saktë se çfarë ndodhi me Flamurtarin e këtij sezoni, edhe për dikë që bën trajnerin nuk duhet të jetë e lehtë të kuptojë se si një ndër skuadrat më solide në gjysmën e parë të sezonit, kur dukej më e kuotuara për të bërë anti-Skënderbeun, të shpërfytyrohet në hijen më të keqe të kopjes së saj në 2018-ën.
Nga vendi i dytë, e shkëputur me 3 pikë nga Kukësi në të 6-in, një seri prej 8 ndeshjesh pa fitore në kampionat, ku duhej t’i vinte sërish radha përballjes me Lushnjën për të marrë 3 pikët, dhe një eliminim jashtëzakonisht i hidhur nga Kupa e Shqipërisë, që i kushtoi vendin në stol Shpëtim Duros. Një nga trajnerët më me eksperiencë të Superiores ka vendosur të thotë mjaft. Ndoshta dhe vetë Duro e ka të vështirë të japë një përgjigje të saktë për metamorfozën e pabesueshme, por ndërkohë disa nga faktorët që shoqëruan pikiatën mund të analizohen.
Dëmtimet nuk janë një alibi, por duhet pranuar Flamurtarin në këtë 2018-ën e kanë përndjekur si rrallëherë. Çdo ndeshje e përballuar me mungesa të rëndësishme për shkak lëndimesh apo skualifikimiesh, por ndërkohë ka dhe të tjera motive.
Një tjetër faktor janë penalizimi nga gjykimet, por këtu çështja ha diskutim, pasi Flamurtari i ka vuajtur më së shumti në gjysmën e parë të sezonit, kur, pavarësisht tyre, arriti të ruante vazhdimësi në rezultatet pozitive. Evidente ndërkohë varësia ndaj Bushicit, kroati, kryegolashënues i skuadrës, për herë të fundit ka shënuar në janar ndaj Partizanit, më pas një periudhë errësire dhe dëmtimi. Në skuadër askush nuk mundi ta zëvendësonte sa i përket rendimentit, me Danilo Alvesin që pavarësisht volumit nuk arrin të bëjë snajperin.
Probleme jo vetëm për sulmin, pasi pika e fortë e Flamurtarit të gjysmës së parë të sezonit ishte mbrojtja. Duro mund të krenohej me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, edhe shumica e golave të pësuar kishin ardhur nga penalltitë, ndërsa në gjysmën e dytë shndërrimi është i frikshëm, me një Flamurtar që pëson nga tre gola për ndeshje nga Vllaznia e Skënderbeu, apo akoma më keq, 4 nga Laçi.
Nëse flitet për një Flamurtar me dy fytyra, pa diskutim një peshë ka dhe merkatoja e dimrit. Tounkara mbetet një objekt misteri, Muarem kurrë nuk arriti të bëjë atë që pritej, ndërsa dhe kontributi i Nedjelkovic është modest. Të gjithë faktorë të shoqëruar edhe nga një ngërc psikologjik që zgjat prej dy muajsh, dhe që kulmoi me dorëzimin përballë Skënderbeut.
Duro ka vendosur të largohet, ndoshta i vetëdijshëm se një tjetër trajner mund të shërbejë në këtë aspekt, për t’i dhënë një shkundje skuadrës, pasi Flamurtari ende mund ta shpëtojë sezonin. Vendi i tretë është 5 pikë larg, ndërsa i katërti, që këtë vit mund të çojë skuadrën në europë, vetëm dy pikë, distancë krejtësisht e rikuperueshme, vetëm se tani, 7 javë nga fundi, Flamurtari nuk ka më kohë për të humbur.



