Mezani “dritë jeshile” për largimin e Shkurtajt: Gjejmë golshënues tjetër
Intervista e trajnerit Gentian Mezani, për emisionin “Gol pas Goli” në SuperSport, pasi Luftëtari i tij mposhti Tiranën 2-1 me përmbysje.
Nuk e nisët mirë takimin dhe pësuat gol. Pjesën e dytë e dëshiruat më shumë fitoren dhe ia arritët…
E kemi nisur mirë lojën, por kemi kërkuar të bëjmë lojë dhe jo të fitojmë pjesën e parë. Pësimi i golit ishte vendosje e gabuar e Demos, pasi mendoj se nuk reaguam në mënyrën e duhur. Në pjesën e dytë u futëm për të fituar ndeshjen dhe arritëm ta bënim. Tirana është një skuadër që ka kualitet, por ne ia dolëm.
Në stolë latë Liçajn. Ju bindi Demo?
Ishte një zgjedhje e mundshme, pasi Licaj nuk është akoma në 100 për qind. Demo ka bërë shumë mirë, përveç momentit të golit. Është një lojtar që ka luajtur shumë pak dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur me të.
Shkurtajn mund ta humbisni në Janar?
Për Shkurtajn mendoj se nëse ka një kontratë fitimprurëse për klubin, atëherë le të shitet. Nëse do të largohet, mund të largohet. Një klub, përpos shpenzimeve, mund të ketë edhe prurje si ishte rasti i Dejvit dhe Abazajt. Kështu mund të jetë edhe rasti i Shkurtajt.
Po kush do të shënoj golat?
Do të bëjmë një golashënues tjetër. Do të punojmë për një të ri.
Rroca kur do ta arrijë formën maksimale?
Rroca është akoma mbrapa, pasi ishte larg fushës për 4 muaj dhe e kanë lënë goxha mbrapa, por edhe me aq sa ka dhënë më ka kënaqur. Rroca do të jetë gati 100 për qind në Janar. Nuk e kemi kohën për t’i dhënë Rrocës atë që do, sepse kemi ndeshje të ngjeshura.



