Mezani frenon entuziazmin: Guxuam, por te Skënderbeu ndikoi lodhja
Laçi i shkaktoi Skënderbeut humbjen e parë, ndërsa trajneri Mezani nuk e fsheh lumturinë, teksa thekson se skuadra e tij mori 3 pikët vetëm falë guximit të treguar. Gjithsesi Mezani kërkon të ulë edhe euforinë te të tijët, ndërsa evidenton edhe lodhjen te skuadra korçare.
“Skënderbeu është një skuadër mjaft e mirë dhe e suksesshme, por ne guxuam dhe fituam, ashtu si edhe mund të humbnim këtë takim. Duke mos i hequr asnjë meritë skuadrës time, unë mendoj se sot ne gjetëm një Skënderbe disi të lodhur nga impenjimi në Europë, ndryshe nga sfida e parë në Korçë”, tha Mezani.
Këtë javë Laçi do të udhëtojë drejt Vlorës, një sfidë mjaft e veçantë për Gentian Mezanin, që rikthehet në qytetin e tij të lindjes, aty ku debutoi si trajner në Superligë.
“Do të gjejmë një Flamurtar krej tjetër, një ekip më të pjekur dhe me lojtarë profesionistë, që po dinë të përfaqësohen denjësisht në Superligë. Gjithsesi unë jam profesionist dhe si trajner i Laçit do të kërkoj maksimumin për ekipin tim. Nuk duhet të kalojmë në eufori, pasi do të na dëmtonte shumë në këto momente”, deklaroi Mezani.



