Merkato

Milani godet në merkato, firmos me zëvendësuesin e Lukakut

Paolo Maldini vijon punën për ndërtimin e Milanit të sezonit të ardhshëm, teksa ka siguruar një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për sulmuesin belg të Liverpoolit, Divock Origi, të cilit i skadon kontrata me “the reds” në fund të sezonit dhe ka zgjedhur kuqezinjtë për të vijuar karrierën.

Mediat italiane konfirmojnë marrëveshjen, me Origin që ka firmosur për 3 sezone me kuqezinjtë dhe do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon, diçka më pak sesa merr aktualisht te Liverpool.

Kështu sulmuesi belg bëhet blerja e dytë e Milanit për sezonin e ardhshëm, pas Adli, që është lënë në huazim te Bordeaux deri në maj të këtij viti.

Por nuk mbaron me kaq, pasi Maldini po ngulmon të afrojë në Milano edhe mbrojtësin e Lille, Botman, i cili mësohet se ka refuzuar edhe ofertën e Newcastle, për t’iu bashkuar projektit të klubit milanez.

Më të komplikuara duken pistat Renato Sanchez dhe Marcos Asensio, të cilët kanë paga të larta aktualisht dhe shkojnë përtej tavanit 5 milionë euro që ka vendosur klubi kuqezi.

Ndërkohë sa u përket largimeve, kanë bërë valixhet gati Kessie, Romagnoli e Castillejo, të cilëve u skadon kontrata dhe pritet të mos ushtrohet e drejta e blerjes për Messias, Florenzin dhe Ballo-Toure, të cilët nuk kanë bindur trajnerin Pioli.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency