Milani ngre “stekën”, shënjestron Rabiot
Adrien Rabiot objektiv i Milanit. Është më shumë se një hipotezë, sepse kush e njeh drejtorin e përgjithshëm të zonës teknike, brazilianin Leonardo, e di shumë mirë që ai e vlerëson shumë 23-vjeçarin francez.
Duke parë që kuqezinjtë janë në kërkim të një përforcimi cilësor për mesfushën, lojtari i PSG i përshtatet totalisht profilit të kërkuar nga drejtuesit e Milanit.
Orët e fundit ka patur zëra, por që nuk janë konfirmuar, rreth një udhëtimi drejt Parisit të Leonardos për t’u takuar me presidentin Al Khelaifi. Sigurisht që kuqezinjtë e kanë në mendje një ofertë konkrete.
Kontrata e Rabiot me kampionët e Francës skadon në vitin 2019, por PSG ka programuar t’ia rinovojë shumë shpejt kontratën. Nëna, njëkohësisht menaxherja e Rabiot ka refuzuar ofertën e Barcelonës pak ditë më parë, me katalanët që më më pas morën Vidal nga Bayerni. Sigurisht që për Milanin do të jetë e vështirë ta shembë “murin” që e ndan nga Rabiot, por Leonardo i ka të gjitha kartat për ta tentuar.



