Europa League

Milani për të bërë kthesën, Arsenali e Lazio duan kualifikimin

Mesjavë spektakli në Europa League. Këtë të enjte në ekranin e Supersport  do të keni mundësi të ndiqni disa nga përballjet më interesante që na ofron kompeticioni i Europa League. Ndeshjet sipas traditës do të ndahen në dy fasha oraresh në ato të orës 19:00 dhe 21:05.

Në grupin D, Milan do të udhëtojë në transfertën delikate ndaj AEK-ut. Kuqezinjtë momentalisht nuk janë duke kaluar një moment pozitiv në kampionat dhe vinë në këtë përballje pas humbjes 2-0 ndaj Juventusit, ndërkohë përsa i përket garës në Europë përballë skuadrës greke tre pikët janë detyrim për të blinduar vendin e parë, por edhe për ti dhënë pak kurajo “Djallit” . Takimi i parë në “San Siro” përfundoi në barazim pa gola. Nisur nga forma jo e mirë që po kalon Milani, por edhe nga kundërshtari që do ketë përballë pritet një 90 minutësh i ashpër. Këtë takim ju do të keni mundësi ta ndiqni në Supersport 3 në orën 19:00.

Lyon do të presë në shtëpi Evertonin. Klubi anglez deri më tani nuk ka regjistruar asnjë fitore në tre takime të zhvilluara duke mbajtur vendin e fundit në grupin E me vetëm një pikë. Evertoni që pas shkarkimit të teknikut Ronald Koeman për shkak të performancës së dobët që po zhvillon skuadra si në kampionat ashtu edhe në Europë ende nuk ka gjetur pasuesin e tij. Ndërkohë Lyon arriti të fitonte takimin e parë përballë “Bluve”, nisur nga kjo vendasit do të kërkojnë të bëjnë sërish të njëjtën gjë për të kapur vendin e parë dhe për t’u ngjitur në krye të këtij grupi, por për të realizuar një gjë të tillë Lyoni duhet të presë se si do të përfundojë sfida tjetër e këtij grupi ajo mes Apollon dhe Atalantës së Etrit Berishës. Bergamaskët të ritkhyer në arenën europiane pas 26 vjetësh, kanë bërë deri më tani një paraqitje të shkëlqyer dhe në këtë transfertë do bëjnë çmos për t’u rikonfirmuar si kryesuesit e grupit E.  Takimin Lyon-Everton  ju do të mund ta ndiqni në Supersport 4 në orën 19:00, ndërsa përballjen Apollon -Atalanta në Supersport 5 po në orën 19.

Në Emiratës Stadium, Arsenal do të presë skuadrën serbe të Crvena Zvezda. Topçinjtë e Londrës deri më tani kanë arritur të sigurojnë tre fitore në po kaq ndeshje të luajtura duke u rënditur në vendin e parë në grupin H me 9 pikë. Takimi i parë mes tyre përfundoi me fitoren minimale 1-0 të Arsenalit, ndërkohë që dhe këtë herë do të kërkohet sërish një rezultat pozitiv për të qëndruar të qetë në krye të grupit edhe pse kundërshtari serb do të jetë më kërkues pasi matematika ia lejon të mbajë gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm. Këtë takim ju do të mund ta ndiqni në Supersport 3 në orën 21:05.

Në grupin K, luhet një ndeshje shumë interesante ajo mes Lazios  dhe Nice. Bardheklatërit me Thomas Strakoshën në portë po kalojnë një moment tejet pozitiv si në kampionat ashtu edhe në Europë. Momentalisht skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi mban vendin e parë në këtë grup me 9 pikë. Në trasnfertën përballë Nice ata arritën të fitonin me rezultatin e thellë 3-1, ndaj edhe në këtë duel të radhës  do të kërkojnë me cdo kusht për të mos dalë pa pikë dhe për të bërë ligjin në krye të grupit K. Këtë takim ju do të mund ta ndiqni në Supersport 4 në orën 21:05. Po në këtë grup do të luhet dhe sfida tjetër ajo mes Vitesse dhe belgve të Zulte Waregem, dy skuadra që momentalisht regjistrojnë vetëm nga 1 pikë. Këtë takim ju do të mund ta ndiqni në Supersport 5 në orën 21:05. Ndërsa në Supersport 6 ju mund të ndiqni golat direkt të të gjitha ndeshjeve që do të luhen në mbrëmje.

 

 

 

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency