Milani pret Chievon, Napoli për t’iu afruar Juves
Pasi u eliminua nga Europa League ndaj Arsenalit, Milani do të kërkojë t’i japë vazhdimësi rezultateve në kampionat, për t’iu afruar edhe më shumë zonës Champions, si objektiv i deklaruar sezonal. Kuqezinjtë do të presin në ‘San Siro’ një Chievo në krizë, që ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, tashmë ka humbur orientimin dhe luan për t’i shpëtuar rënies në Serinë B. Gattuso vjen me ekip të plotë, teksa e vetmja gjë që shikohet me shqetësim, është lodhja që mund të shfaqë ndikimin e vet, pasi formacioni i Milanit ka ndryshuar shumë pak në këto 3 muaj të fundit.
Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ajo mes Torinos dhe Fiorentinës, dy skuadra që janë konsoliduar në mesin e tabelës dhe objektivi i vetëm është që të dhurojnë spektakël në fushën e lojës. Gjithashtu në orën 15:00 do të luhen edhe sfidat Crotone-Roma, Verona-Atalanta dhe Benevento-Cagliari.
Ndryshe nga si ndodh zakonisht, mbrëmja e të dielës në Serinë A do të propozojë dy takime mjaft interesante, Lazio-Bologna dhe Napoli-Genoa. Skuadra e Simone Inzaghit siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Europa Leagues të enjten, por objektivi madhor është pjesëmarrja në Champions League dhe për ta arritur, duhet fituar me Bolognën. Për më tepër, Lazio nuk fiton prej 2 takimesh në Serinë A, pas humbjes me Juventusin dhe barazimit me Cagliarin.
Në ‘San Paolo’ Napoli i Sarrit do të kërkojë të shfrytëzojë hapin fals të Juventusit mbrëmë ndaj Spalit, për të reduktuar distancën nga bardhezinjtë në vetëm 2 pikë. Genoa është një ekip që mund të sjellë vështirësi, por napolitanët nuk fitojnë prej 2 takimesh dhe e dinë se për të shkuar te titulli, duhet të bëjnë një sprint fantastik në këtë pjesë të fundit të sezonit.



