Mihajlovic kërkon dëmshpërblim nga Sportingu në KAS
Sinisa Mihajlovic çon në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës Sportingun e Lisbonës. Trajneri serb pretendon se “i janë shkelur të drejtat dhe duhet dëmshpërblyer” për shkarkimin e padrejtë nga detyra vetëm pak ditë pas ishte zyrtarizuar në krye të skuadrës portugeze.
Në fakt, gjithçka ndodhi pas ndryshimit të kupolës drejtuese të Saportingut, me presidentin e ri që e prishi njëanshmërisht marrëveshjen me pretendimin se trajneri “nuk e kishte kaluar periudhën e provës.”
Mihajlovicit, vetëm 8 ditë pas emërimit zyrtar, iu komunikua shkarkimi, pa mundur që të zhvillojë qoftë një seancë stërvitore me futbollistët.
Përfaqësuesit ligjorë të serbit, i sugjeruan që ta akuzonin Sportingun në KAS, duke qenë të bindur se nuk ka patur asnjë shkak të arsyeshëm për shkarkimin në këtë periudhë prove.
“Në 30 vjet karrierë në futbollin nuk kisha parë një sjellje të tillë. Kam përpiluar dosjen ku i kërkoj klubit të më dëmshpërblejë. E kisha pranuar me shumë entuziazëm detyrën dhe i kisha marra paraprakisht të gjitha masat, por mendoja se do të përfundoja në pankinë, jo në gjykatë, Me ish-presidentin De Carvalho kishim rënë dakord për gjithçka”, – sqaroi Sinisa Mihajlovic.



