Milionat e Haaland investohen për dy talente, Dortmund bind lojtarët e Gjermanisë
Erling Haaland do të largohet nga Borussia Dortmund në fund të sezonit. Bomberi 21-vjeçar po shqyrton ofertat e shumta që ka marrë. Dëshira e tij është kalimi në Spanjë, por Manchester City nuk heq dorë dhe vijon të ngulmojë për ta bindur të transferohet në ishull.
Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit gjerman kanë piketuar dy goditje në merkato pas shitjes së goleadorit viking. Një pjesë e parave që do të sjellë shitja e Haaland do të investohen te dy lojtarë të kombëtares gjermane.

Bild raporton se Borussia Dortmund ka arritur marrëveshjet me Karim Adeyemi (Salzburg) dhe Nico Nico Schlotterbeck (Freiburg). Të dy të rinj dhe të talentuar: i pari 20 vjeç dhe sulmues, i dyti 22 vjeç dhe qendërmbrojtës.
Të dy kanë debutuar me kombëtaren e Gjermanisë falë paraqitjeve shumë të mira me klubet e tyre. E përditshmja gjermane shkruan se të dy lojtarët kanë vendosur të transferohen në “Signal Iduna Park” në fund të sezonit.



