Miratohet fondi për detyrimet e prapambetura, Vllaznia drejt licencimit
Lajm i mirë për ekipin e Vllaznisë para se të skadojë afati i licencimit të klubeve (31 korrik) për sezonin e ri futbollistik. Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar një fond prej 200 milionë lekësh të vjetra që do të përdoret për të shlyer detyrimet fiskale.
Kujtojmë që Vllaznia ishte ndër skuadrat më problematike sa u përket detyrimeve te tatim-taksat.
Në fakt, kjo shumë ka qenë e planifikuar të miratohej që në mbledhjen e muajit maj të Këshillit Bashkiak dhe po ashtu edhe në qershor, por kjo nuk ndodhi për mungesë të kuorumit të duhur, megjithatë tashmë u bë realitet në mbledhjen e korrikut dhe për ta ligjëruar atë duhet marrë edhe “vula” e prefektit.
Para disa kohësh, KF Vllaznia ka paguar një tjetër shumë prej 50 milionë lekësh të vjetra dhe ndërkohë edhe me këtë 200 milionëshin e miratuar së fundi, shuma e detyrimit zbritet dhe po ashtu, do të bëhet një marrëveshje e re për shlyrjen me këste të shumës së mbetur të detyrimit. Si rrjedhojë, KF Vllaznia pritet të marrë kësisoj edhe licencimin për sezonin futbollistik 2019-2020



