Modriç drejt rinovimit me Realin, zikaltrit rinisin fushatën “Rimerrni Rafinhën”
Betejën për Luka Modriç duket se e ka fituar Reali i Madridit, me presidentin Florentino Perez që duket se ia ka dalë të bindë kroatin për të qëndruar ende në kryeqytetin spanjoll.
Mediat iberike raportojnë se Perez i ka ofruar rinovimin Modriçit me një pagë të njëjtë sa të Sergio Ramos, duke iu njohur meritat në 4 triumfet europiane të madrilenëve.
Gjithashtu Perez ia ka bërë të qartë kroatit se nuk ka ndërmend ta lërë të largohet, sepse nuk dëshiron të dekurajojë ambientin madrilen, që tashmë ka marrë një goditje me largimin e Ronaldos.
Megjithatë zikaltrit janë të gjithë në Madrid, ku do të luajnë miqësoren ndaj Atleticos në mbrëmje (Ora 21:00, në Supersport 2) dhe shpresojnë ende që ngjarjet të marrin një tjetër kthesë.
Mediat pranë zikaltërve raportojnë se menaxherëve të Modriç u është dhënë një afat për mbylljen e marrëveshjes, që duhet të jetë e hëna, ndërsa pritet që po në ditën e parë të javës të mbahet një tjetër takim mes numrit 10 madrilen dhe Perez.
Pikërisht ky takim i dytë do të vërë pikat mbi “i”, pasi në mbrëmje Lopetegui do të publikojë listën e lojtarëve të grumbulluar për Superkupën Europiane ndaj Atleticos.
Nëse Modriç do të jetë në listë, atëherë me 100% do të mbetet pjesë e madrilenëve, por nëse kroati do të lihet jashtë, kjo do të jetë nëj shenëj që po paketon valixhet për në Milano.
Gjithsesi tifozët zikaltër duket se nuk janë zhgënjyer nga lajmet e ardhura nga Spanja, por kanë nisur edhe njëherë fushatën “riktheni Rafinhën”, pasi kërkojnë që ylli i Barçës të mbajë sërish fanellën zikaltër.



