Modric rrëfen jetën e tij: Mund të isha një basketbollist, ja deri kur luaj futboll
Luka Modric për shumë mund të jetë një veteran, por nëse shumëkush e sheh në fushën e lojës pa e ditur se çfarë moshe ka, vështirë se ndokush do të qëllojë saktë vitet që ka mbi supe. Në një intervistë të dhënë së fundmi, kroati ka folur për shumë tema, duke nisur nga pasioni i tij për sportin në tërësi, ku veçon se nëse nuk do të ishte bërë futbollit do e kishte gjetur veten në një tjetër disiplinë.
“Po të mos isha një futbollist nuk e di se çfarë do të bëja. Unë e dua sportin, përveç futbollit jam adhurues i shumë sporteve të tjera si basketbolli, tenisi e shumë të tjera. Ndoshta do të luaja në ndonjë sport tjetër. Për shembull, basketbolli, të cilin unë e dua, kam lindur në Kroaci, në Zadar që njihet si qyteti i basketbollit dhe mbaj mend se si fëmijë kam shkuar shumë herë për të parë ndeshjet e basketbollit. Kam luajtur sa herë që kam mundur pas shkollës me miqtë dhe unë isha i çmendur për basketbollin, si të thuash. Më pëlqeu dhe kjo është arsyeja pse mendoj se ndoshta do të isha basketbollist”.
Në jo pak raste kemi parë lojtarë që në moshën e Modriç kanë varur këpucët në gozhdë, por kur do e mbyllë kroati? Ai vetë duket i pavendosur, pavarësisht se tregon se ka ende freskinë për të luajtur dhe për disa sezone.
“Nuk e di, vërtet nuk e di se deri kur do të jem në gjendje të luaj. Ndoshta deri në të 40-at. Do ta shohim. Unë ndihem mirë fizikisht, gjë që është e rëndësishme edhe mendërisht, jam në një klub shumë të madh, klubi më i mirë në botë pa dyshim dhe po punoj për ta mbajtur këtë nivel sa më gjatë. Tani unë jam pothuajse 37 dhe ndihem vërtet shumë mirë”.
Në Madrid, Modriç është një prej lojtarëve më të dashur, teksa tashmë ka një dekadë që kontribuon për ngjyrat e “Los Blancos”. Kur vjen puna për momentin më të bukur për të, ai e ka gati përgjigjen.
“Ka shumë momente të lumtura që kam te Real Madrid, por ndoshta më i lumturi ishte fitimi i trofeut të 10 të Champions, pasi numri 10, është numri im i preferuar. Unë dëgjoja vetëm fjalën “e dhjetë, e dhjetë…” ndaj e dija se duhej ta fitoja. Bëmë diçka mbresëlënëse. Ky është momenti më i lumtur, por unë kam jetuar shumë më shumë momente të lumtura, por ky është numri një”.
Krahas Realit të Madridit, përfaqësuesja e Kroacisë po ashtu ka fatin të ketë në organikën e saj fituesin e një Topi të Artë. Modric e di që edhe me kombëtaren do të vijë momenti që të ndahet, por në sytë e tij ka një pasues që është gati të marrë statusin e liderit.
“Pasuesi im në Kroaci ose lojtari më i talentuar, mendoj se është Mateo Kovacic. Ai ka luajtur për klube të rëndësishme si Inter Milan, Real Madrid, tani ai është në Chelsea duke bërë shumë mirë dhe prandaj le të themi se është një nga pasardhësit, mund të jetë lider i Kroacisë së ardhshme”.
Dita që Modriç do të lërë futbollin ende nuk është në orbitën e mefushorit, i cili nuk e ka menduar se çfarë do të bëjë kur të varë këpucët në gozhdë, pasi është i fokusuar vetëm që të shijojë atë çka po jeton tani.
“Nuk e kam menduar ende se çfarë do të bëj kur të lë futbollin. Nuk jam njeri që mendoj shumë për të ardhmen, më pëlqen të jetoj të tashmen dhe të shkoj pak nga pak, të shijoj momentin. Të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja. Ndihem mirë, dua të shijoj më shumë futbollin”.



