Mohamed Salah kërkon pagë “faronike” për të qëndruar te Liverpooli
Mo Salah kërkon gjysmë milionë stërlina në javë për të shtyrë qëndrimin e tij te klubi i Liverpoolit. Natyrisht duke pasur parasysh edhe ofertat e shumta në adresë të tij Mohamed Salah, duket se po përfiton menjëherë nga rasti për të kërcënuar drejtuesit aktualë të klubit të famshëm nga Merseyside.
29-vjeçari egjiptian konsiderohet si një ndër sulmuesit më të mirë të Premier League-s, sidoqoftë i ndërgjegjshëm nga ky fakt Momo duket se ka ndër mend të shfrytëzojë situatën, për t’u shndërruar shpejt në një ndër futbollistët më të paguar në Ishull.
Në fakt lojtari më i shtrenjtë në Premiershipin Anglez ishte Alexis Sanchez me 560.000 pound në javë, por kiliani vendosi të largohej për t’u transferuar në radhët e Interit, gjithsesi tani mediat e ndryshme në vend kanë zbuluar se rrogën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në kampionatin anglez do ta përfitojë pikërisht ylli portugez i rikthyer te “Djajtë e Kuq” të Manchester United, pra Cristiano Ronaldo. Shifra të sakta nuk janë dhënë në mënyrë të detajuar, në lidhje me pagën e vërtetë të sulmuesit të famshëm luzitan, megjithatë pavarësisht statistikave të publikuara për humbjet e mëdha financiare të klubeve në përgjithësi, për shkak të mungesës së spektatorëve, për një sezon të tërë, prej frikës së përhapjes së pandemisë së koronavirusit, klubet angleze u rikthyen për të paguar sërish shuma marramendëse.
Shembulli më i qartë është rasti i drejtuesve të Manchester City-t, që paguan plot 100 milionë stërlina, për të transferuar ish-kapitenin e Aston Villa-s nga West Midlands në radhët e kampionëve në fuqi, duke e shndërruar vetvetiu lojtarin e përfaqësueses së “Tre Luanëve”, Jack Grealish, në futbollistin me vlerën më të lartë të transferimit në Ishull apo dhe lojtarin anglez më të shtrenjtë në histori.
Rasti tjetër është ai i Romelu Lukaku-t, lojtarit të dytë më të shtrenjtë në historinë e kampionatit anglez, që preferoi të largohej nga Interi për t’u rikthyer te Chelsea, për 97,5 milionë stërlina, shifër që e konvertuar shkon në plot 115 milionë euro. Tani “Faraoni” nga Nagrigu është duke u bërë presion krerëve të klubit për t’u bërë futbollisti më i paguar në Merseyside.
Mo Salah ka shënuar 127 gola në 206 ndeshje, në të gjithë kompeticionet me të kuqtë dhe vlera e tij në merkato sipas transfermarkt llogaritet të jetë me nëntë shifra, pra 100 milionë euro. Salah është një ndër futbollistët më të paguar te Liverpooli, sigurisht për shkak të rendimentit tepër të lartë me “The Reds”.
Duke u bazuar në statistikat e publikuara në mediat vendase, sulmuesi egjiptian konsiderohet si një ndër sulmuesit që shpërdoron më shumë përpara portave kundërshtare në kampionatin anglez, megjithatë duke përfituar në maksimum nga loja ultraofensive e trajnerit gjerman, Jurgen Klopp, Salah ka përfituar në maksimum për t’u shpallur dy herë radhazi si golashënuesi më i mirë i Premier League-s, në sezonet 2017-2018 dhe 2018-19 respektivisht me nga 32 dhe 22 gola, megjithëse për hir të së vërtetës në vitin 2019 sulmuesi egjiptian e ndau një çmim të tillë bashkë me dy futbollistët e tjerë, Sadio Mane dhe Pierre – Emerick Aubameyang, ndërsa në edicionin e fundit të kampionatit anglez më shumë se sa Momo realizoi vetëm sulmuesi i Tottenham Hotspur, Harry Kane, që e mbylli sezonin në kuotën e 23 golave, pra vetëm një më shumë se sa Salah.
Krerët e klubit në Merseyside janë gati për t’i përmirësuar ndjeshëm rrogën javore 29-vjeçarit, por sidoqoftë pa shkaktuar pakënaqësi në gjirin e skuadrës, duke synuar pra ruajtjen e ekuilibrave të caktuar në aspektin e pagesës së lojtarëve. Qendërmbrojtësi Virgil van Dijk dhe kapiteni Jordan Henderson që përfaqëson lojtarin me më shumë eksperiencë te të kuqtë i besuan plotësisht projektit të drejtuesve dhe trajnerit Klopp, duke rinovuar kontratat e tyre, me kushte të përmirësuara financiare. Kjo e fundit ka qenë një verë e thatë për “The Reds”, të cilët kanë shpenzuar vetëm 36 milionë stërlina për lojtarin e ardhur nga Leipzigu, mbrojtësin 22-vjecar francez Ibrahima Konate, megjithatë drejtuesit e klubit nga Merseyside janë munduar të tregohen tepër të kujdesshëm në bisedimet me futbollistin egjiptian pas kërkesave më të fundit të Momos dhe interesimit të vazhdueshëm të Realit apo Paris SG për sulmuesin e tyre.
Për momentin Salah iu bashkua përfaqësueses së vendit të tij, për ndeshjen kualifikuese të botërorit të ardhshëm në Kontinentin Afrikan, më konkretisht për sfidën me Gabonin, ndonëse krerët e klubit nga Merseyside fillimisht nuk i dhanë leje. Përshtypjet e para janë se sulmuesi egjiptian do të duhet të ulë hundën, e të heqë dorë natyrisht edhe nga kërkesat e tij tepër të larta. Mohamed Salah kaloi nga Roma te Liverpooli në verën e vitit 2017 për shumën e 36,5 milionë stërlinave që më pas mund të ngjitej deri në 43 milionë paund.
Jack Grealish, Romelu Lukaku, Jadon Sancho, Ben White, Raphael Varane, Ibrahima Konate, Tammy Abraham dhe Emiliano Buendia përfaqësojnë 8 nga 10 transferimet më të bujshme të kësaj vere dhe bëhet fjalë për futbollistë të Premier League-s, ndërkohë dy lojtarët e vetëm jashtë kampionatit anglez që figurojnë në dhjetëshen e parë të merkatos së fundit që sapo u mbyll janë Dayot Upamecano që kaloi nga Laipcigu te Bajerni për 42.5 milionë euro dhe Achraf Hakimi që la Interin për t’u transferuar te Paris SG për vlerën 60 milionë eurove.
Sulmuesit Mohamed Salah i kanë mbetur edhe më pak se dy vjet për të përmbushur kontratën e tij me Liverpoolin dhe sipas mediave britanike 29-vjeçari për momentin paguhet me një rrogë prej vetëm 200.000 stërlinash në javë.



