Ligue 1

Moment super për Rashanin, gjen golin e parë në Ligue 1. Feston edhe Kamberi në Zvicër

Elbasan Rashani vijon momentin e mirë të formës. Sulmuesi dardan realizoi gol në suksesin 5-1 të Kosovës përballë Qipros në Nations League, ndërkohë që sot ka gjetur rrugën e rrjetës me Clermontin në Ligue 1.

Skuadra e 29-vjeçarit fitoi 1-3 përballë Ajaccios së Qazim Laçit, i cili nuk u aktivizua për shkak dëmtimi. Rashani u fut në fushë në minutën e 63’ dhe një minutë përpara fundit realizoi golin e parë sezonal në kampionatin francez.

Clermonti shënoi edhe golin e tretë në minutat shtesë dhe është ngjitur përkohësisht në vend të nëntë. Feston edhe Florian Kamberi në Zvicër. Sulmuesi shqiptar la shenjën e tij në suksesin 1-3 që Winterthur arriti në fushën e Sionit.

Goli i Mario Balotellit nuk i mjaftoi ekipit vendas, ndërkohë që 27-vjeçari Kamberi, i cili është grumbulluar por nuk ka debutuar me kombëtaren shqiptare, erdhi nga stoli (69’) dhe shënoi golin e qetësisë për ekipin e tij në minutat shtesë.

Kjo ishte fitorja e parë sezonale për Winterthurin, ndërkohë që Kamberi gjeti golin e parë sezonal në elitën e futbollit zviceran. Feston edhe Alban Ajdini në divizionin e dytë të futbollit helvet.

Ish-sulmuesi i Kosovës U21 i dhuroi fitoren Lausanne Ouchy në fusnën e Vaduzit me dy golat e tij, duke u ngjitur në shifrën e pesë golave sezonalë.

Fitore dhe karton i kuq në Turqi për David Domgjonin. Qendërmbrojtësi nga Prizreni la Manisa FK me dhjetë lojtarë pas daljes me të kuq në minutën e 73’, por ekipi ku është transferuar edhe Eros Grezda, ia doli të merrte pikët maksimale pas triumfit 3-2 ndaj Adanasporit.

Ndërkohë, Arlind Sejdiu, i cili vitin e kaluar debutoi me Kosovën U21, ka shënuar golin e parë në Finlandë. 21-vjeçari ishte autori i golit të vetëm të Lahtit në humbjen 2-1 në fushën e AC Oulu.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency