Ankth për Maradonën, do t’i nënshtrohet një operacioni në kokë
Vetëm pak ditë pasi festoi ditëlindjen e 60, legjenda argjentinase e futbollit, Diego Armando Maradona po kalon orë të vështira në një klinikë private në La Plata, ku është i shtruar prej ditës së shtunë.
Fillimisht u fol për shenja depresioni dhe ishte mjeku i tij që në një dalje për mediat sqaro situatën, por ekzaminimet e orëve të fundit kanë treguar për një mpiksje të gjakut në anën e majtë të kokës.
Pikërisht për këtë arsye, Maradona do t’i nënshtrohet një operacioni, ndërsa mjeku i tij Leopoldo Luque sqaroi se vetë 60-vjeçari është njohur me të gjithë detajet dhe po pret me qetësi ndërhyrjen që do të kryhet në orët e ardhshme.
Mësohet se Maradona ka përplasur kokën gjatë një rrëzimi aksidental disa ditë më parë, por e ka nënvlerësuar situatën dhe me kalimin e ditëve mpiksja ka filluar ta shqetësojë e ta detyrojë të shkojë në spital.
Maradona jeton në La Plata, ku drejton skuadrën e Gimnasias dhe të premten festoi ditëlindjen duke u ulur në pankinë në ndeshjen ndaj Patronatos, por u largua në fundin e pjesës së parë, pasi shfaqi probleme shëndetësore dhe të nesërmen u shtrua në klinikë.



