Momenti delikat, Leonardo e Maldini ballafaqohen me Gattuson dhe futbollistët
Milani po kalon një moment tejet të vështirë, pasi ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit, ndërsa mbrëmë u eliminua edhe nga Kupa e Italisë, pikërisht në fazën gjysmëfinale përballë Lazios.
Ky moment rrezikon të hedhë poshtë punën e mirë të bërë në fillim të këtij viti, ndërsa tashmë kuqezinjtë ndajnë vendin e katërt me Atalantën dhe nëse nuk ia dalin të shkojnë në Champions, komplikojnë edhe të ardhmen.
Pikërisht për këtë arsye, Leonardo dhe Maldini kanë mbërritur sot në qendrën stërvitore të kuqezinjve, për t’u përballur me situatën dhe për t’u përpjekur të ndryshojnë diçka për sprintin final.
Fillimisht dy drejtuesit biseduan me trajnerin Gattuso, për të mësuar më shumë në lidhje me gjendjen fizike, por edhe atë psikologjike të lojtarëve, ndërsa më pas folën edhe me këta të fundit, për t’i inkurajuar në prag të sprintit final.
Si Leonardo, ashtu edhe Maldini ndoqën me vëmendje seancën stërvitore, për t’u larguar më pas menjëherë pasi skuadra shkoi për të drekuar, ndërsa reagimi i kuqezinjve pritet të vijë që në ndeshjen e fundjavës ndaj Torinos.



