Montella: Vetëm media ka dyshime për të ardhmen time
Fiorentina ndryshoi pronësi në fillim të verës dhe u ndërtua me shpejtësi, për të qenë një skuadër që mund të konkurrojë denjësisht në kampionatin italian, ndërsa entuziazmi arriti kulmin kur ekipit iu bashkua edhe kampioni francez Franck Ribery.
Skuadra vjollcë ka bërë një futboll spektakolar në 4 javët e para, por ka qenë e pafat, duke arritur të marrë vetëm dy pikë, që e rendisin momentalisht në vendin e fundit të tabelës, çka ka mjaftuar që shtypi të hedhë hije dyshimi mbi të ardhmen e trajnerin Montella.
Drejtuesit e klubit e kanë konfirmuar vazhdimisht këtë të fundit, duke vlerësuar punën që po bën në skuadër, ndërsa sot ka qenë edhe vetë Montella që në konferencën e zakonshme për shtyp deklaroi se nuk ndihet aspak në dyshim për të ardhmen në stolin vjollcë.
“Pankina ime kërcënohet nga mediat, jo nga drejtuesit e klubit. Unë fillova të punoj shumë vonë me grupin e plotë dhe megjithatë ke i luajtur bukur, Nëse kemi vetëm dy pikë, kjo është sepse nuk kemi pasur shumë fat, por shumë shpejt do ngjitemi atje ku e kemi vendin. Drejtuesit më mbështesin plotësisht dhe më ndihmojnë në punën time”, deklaroi Montella.



