Monza nuk ndalet në merkato, transferon lojtarin që “injoroi” Mourinho
Klubi i Monzës nuk di të ndalet në merkato. Dyshja Silvio Berlusconi dhe Adriano Galliani kërkojnë t’i dhurojnë një eksperiencë unike klubit që për herë të parë do të luajë në elitën italiane të futbollit, Serie A.
Këtë herë, Monza mirëpret në skuadër Gonzalo Villar që vjen nga Roma me formulën e huazimit teksa në arkën e Romës shkojnë 1 milionë euro. Por, Monza ka detyrimin për ta transferuar përfundimisht futbollistin për shumën e shtatë milionë eurove dhe nëse siguron mbijetesën sezonin e ri, atëherë do të detyrohet t’i paguajë kryeqytetasve edhe dy milionë të tjera shtesë.
Mesfushori që mbërriti në Romë në vitin 2020, nuk ka pasur hapësira në mesfushën e verdhekuqve teksa trajneri Hoze Mourinho nuk e konsideron pjesë të grupit, ndaj Monza menjëherë përfitoi dhe përforcoi radhët. Në sezonin e fundit, 24-vjeçari ishte pjesë e Getafes në La Liga ku regjistroi edhe 10 paraqitje.



