Morata “merr për dore” Juven e Pirlos, Chiellini dëmtohet sërish
Andrea Pirlo debuton me fitore si trajner në Ligën e Kampionëve, pasi Juventusi i tij ia doli të triumfojë me rezultatin 0-2 në transfertën ukrainase përballë Dynamo Kiev, që drejtohet nga rumuni Mirchea Lucescu, tekniku që lancoi për herë të parë si futbollist numrin një të pankinës së bardhezinjve.
Sfida nuk nisi aspak mirë në Kiev, pasi që në minutën e 18’ Giorgio Chiellini ndjeu një shqetësim muskulor dhe u detyrua të lërë fushën e lojës, ndërsa shkalla e dëmtimit të kapitenit pritet të mësohet vetëm në dy ditët e ardhshme.
Megjithatë në mungesë të Cristiano Ronaldos, ishte sulmuesi spanjoll Alvaro Morata që mori për dore bardhezinjtë në Europë, pasi zhbllokoi sfidën në fillim të pjesës së dytë, pas një aksioni të bukur ku morën pjesë edhe Chiesa, Ramsey e Kulusevski.
Më pas pati vend edhe për Paulo Dybalën që u aktivizua në vend të suedezit në minutën e 56’, ndërsa pak para vërshëllimës finale, Morata shënoi edhe golin e dytë, pas një krosimi të Cuadrados nga krahu.
Sfida tjetër e vlefshme për grupet e Ligës së Kampionëve, ajo mes Zenitit dhe Club Brugge, përfundoi me fitoren e miqve 1-2. Edhe këtu të tre golat u shënuan në pjesën e dytë, me belgët që zhbllokuan sfidën me anë të Dennis, por më pas barazuan po vetë me autogolin e Horvath.
Megjithatë kur luheshin minutat shtesë, ishte mesfushori 19-vjeçar belg Charles le Ketelaere, i cili shënoi golin e fitores për Club Brugge, që e nis mbarë aventurën në një grup të balancuar.



