Mori ftesë nga dy përfaqësuese, mbrojtësi i njohur zbulon vendimin final
Italia dhe Argjentina do të përballen më 1 qershor në të ashtuquajturën super-finale, mes fitueses së Kampionatit Europian dhe fitueses së Copa Americas, megjithatë sfida mes dy trajnerëve nisi pak ditë më parë.
Kjo pasi Lionel Scaloni i Argjentinës dhe Roberto Mancini i Italisë, i dërguan ftesë mbrojtësit 25-vjeçar të Feyenoord, Marcos Senesi, i cili po shkëlqen me holandezët dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.
Senesi është argjentinas, por ka edhe pasaportë italiane, ndaj Mancini shpresoi deri në fund, duke i bërë edhe një telefonatë për ta bindur për projektin, megjithatë përballjen e parë duket se e ka fituar Lionel Scaloni.
Vetë mbrojtësi i Feyenoord zbuloi se zemra i rreh për Argjentinën dhe ka vendosur t’i përgjigjet thirrjes së “albicelestëve” për ndeshjet e muajit qershor, ku edhe pritet të bëjë debutimin zyrtar me përfaqësuesen e vendit të tij.
“E vërteta është se ndihesh shumë mirë kur të kërkojnë dy përfaqësuese. Pata një bisedë me Mancinin, që më shpjegoi projektin e tij me Italinë dhe më ftoi të bëhesha pjesë, por më pas fola edhe me stafin teknik të Argjentinës dhe vendosa të luaj për vendin tim”, deklaroi mbrojtësi 25-vjeçar.
Marcos Senesi do të jetë më 25 maj në Tiranë, për finalen e Conference League në “Air Albania”, kur Feyenoordi i tij të përballet me Romën, me synimin për të shkruar i pari emrin në librin e fituesve të kompeticionit më të ri të UEFA-s.



