Moto GP, “match point” për Marquez, Dovizioso i “lutet” motit
Në Cmimin e Madh të Malajzisë, vjen “match point” i parë për Marc Marquez. Piloti spanjoll i Repsol Hondas mund të mbyllë cështjen e titullit që në garën e Sepangut, e parafundit për këtë sezon në Botërorin e Moto GP.
“Asgjë nuk ka përfunduar, “loja” mbetet e hapur dhe duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm. Strategjia që duhet të ndjek? Duhet të bëj të pamundurën për të ruajtur nivelin më të lartë gjatë gjithë fundjavës. Duhet të kemi të njëjtin mentalitet, në një fundjavë që mbetet e vecantë për ne.”
Nga ana tjetër, Andrea Dovizioso i Ducatit nuk ka ndërmend të heqë dorë, edhe pse 33 pikë diferencë, kur kanë mbetur vetëm dy gara, janë vërtet shumë.
“Pas atij rezultati negativ në Phillip Island, m’u desh të pushoja për disa ditë. E dimë që do të jetë një fundjavë e vështirë, por gjithcka mbetet e hapur. Gjatë garës, kushtet e motit mund të ndryshojnë papritur, ndaj duhet të jemi gati për gjithcka.”
Në mes të protagonistëve në konferencën për shtyp ishte edhe Valentino Rossi, që vjen pas një vendi të dytë të merituar në Phillip Island.
“Ishte një rezultat i mirë pas problemeve që kisha në këmbë. Tri gara brenda dy javësh do të thotë t’i kërkosh me shumë se c’duhet trupit tim. Kam punuar shumë pas aksidentit, por kjo është gara më impenjative e sezonit.”



