Mourinho largon “zhurmën” rreth talentit të skuadrës: Qëndron në Romë deri në vitin 2024
Nicolo Zaniolo është një nga talentët më premtues të futbollit italian, teksa as dy dëmtime të rënda në ligamentet e gjurit nuk e kanë ndaluar fantazistin të shprehë kualitetet me fanellën e Romës. Por, cilësitë e tij që mund të dallohen lehtësisht edhe nga cepi më i largët i stadiumit Olimpico, bëjnë që 22-vjeçari të ketë shumë klube të interesuara për shërbimet e tij.
Një nga klubet që prej kohësh është vënë në ndjekje të Zaniolos duke i qëndruar edhe strategjisë për të rinovuar grupin me të rinj të talentuar, është Juventus. Bardhezinjtë janë duke përpiluar një ofertë në merkaton verore, ndërsa presin që një shifër prej 40 milionë eurosh të kënaqë drejtuesit e Romës.
Por, ai që vendos në pikëpyetje planet e Zonjës së Vjetër është trajneri i Romës, Jose Mourinho. Portugezi thekson se talenti do të qëndrojë në kryeqytetin italian deri në vitin e fundit të kontratës, pra deri në vitin 2024.
“Objektivi im me Romën është të përmirësoj skuadrën me prurjet e reja, por edhe të mbaj lojtarët më të vlefshëm. Zaniolo është një nga këta futbollistë dhe do të qëndrojm me ne deri në vitin 2024”, u shpreh Mourinho.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



