Mourinho “përqafon” Dybalën dhe kërkon një tjetër argjentinas për sulmin
Pas Paulo Dybalës, Roma hidhet në sulm edhe për Mauro Icardin. Ish-kapiteni i Interit, aktualisht pjesë e PSG-së, nuk bën pjesë në planet e klubit francez, ndaj ka zgjuar interesin e shumë skuadrave, e së fundi pikërisht të verdhekuqve.
Romanët kanë takuar drejtorin sportiv të PSG-së për të mësuar nëse mund ta marrin në huazim sulmuesin argjentinas, megjithatë problem për momentin mbetet pikërisht paga e lartë që Icardi merr te klubi francez.
Argjentinasi përfiton 12 milionë euro neto në sezon dhe ka edhe dy vite të tjera kontratë, por nuk ka ndërmend të heqë dorë nga asnjë cent, edhe duke marrë përsipër rrezikun që mund të qëndrojë në stol.
Nga ana tjetër, Roma është ofruar ta marrë në huazim, por jo të paguajë më shumë se 4-5 milionë euro rrogë në sezon, ndaj diferenca duhet të mbulohet nga PSG-ja, ose duhet që Icardi të pranojë uljen.



